Futboll

Atletiko masakron Realin në derbi me gola dhe me shkelma

Derbi i Madridit është luajtur në Nju Xhersi këtë herë si një test për të dyja skuadrat, por kjo ndeshje nuk mund të jetë kurrë e tillë. Ka fituar thellë, 7-3, skuadra e Simeones, por sigurisht që nuk ka munguar sherri dhe shkelmat, që kanë lënë me pasoja Realin, pasi trajneri Zidan ka humbur të tjera pjesë.

Në lojë ishin 3 pikët e “International Champions Cup”, por kur zbret në fushë për një derbi, nuk ka shaka. Aq më shumë kur pas 8 minuatsh ke pësuar 2 gola dhe pas gjysmë ore 4. Në “MetLife Stadium” të Nju Xhersit, Atletiko Madrid i trajnerit Simeone “asfaltoi” kushërinjtë e Realit me rezultatin e thellë, 7-3. Nervozizmi sigurisht që nuk mungoi dhe klima në këtë ndeshje nuk ishte aspak miqësore. Pika kulmore e tensionit ishte në minutën e 64-t, kur Karvahal dhe Diego Kosta u kapën me duar, duke merituar secili karton të kuq, pas një ndërhyrje të ashpër të lojtarit të Atletikos.

Moment nga përplasja mes lojtarëve në fushë

Sulmuesi brazilian, i natyralizuar në spanjoll, ishte personazhi kryesor i ndeshjes, për mirë me 4 golat e shënuar dhe për keq për kartonin e kuq. Vetëm pas 60 sekondash Diego Kosta hapi serinë e golave, më pas ia la radhën Zhoao Feliksit, para se të shënonte edhe 3 gola të tjerë dhe të rrëmbente skenën. Rezultati shkoi në 6-0 në favor të Atletikos, kurse në pjesën e dytë “galaktikat” treguan pak nga krenaria e tyre, duke shënuar 3 gola me Naço, Benzema dhe Hernandez. Vitolo shënoi golin e fundit të ndeshjes, duke fiksuar rezultatin 7-3 dhe kjo është shumë më shumë se një humbje e rëndë për Realin. Pas Asensios dhe Mendi, Zidan ka humbur edhe sulmuesin Joviç, i cili ka marrë një goditje në gju dhe priten analizat për të mësuar kohën e rikuperimit.

Një periudhë e errët për Real Madrid. Kapiteni Serxhio Ramos ka akuzuar Atletikon pas ndeshjes, duke thënë se kundërshtari luajti ashpër, si të ishte një finale. "Është e rëndë të humbësh kështu. Ne e morëm si një miqësore dhe gabuam, kurse ata e morën si një finale”, - u shpreh Ramos. Trajneri Zidan është munduar ta zbutë disi situatën, duke thënë: "Humbje e rëndë, pro nuk jam i shqetësuar. Do të bëjmë një sezon të madh, jam i bindur". Infermieria e Realit po mbushet këto ditë nga dëmtimet e shumta. Pas Asensios, Brahim Diaz dhe Mendy, është dëmtuar edhe Joviç, i cili la fushën që në pjesën e parë, pasi mori një goditje në gju nga portieri Oblak. Shpresohet të mos jetë një dëmtim i rëndë për serbin.

Lojtarët e Realit, të dëshpëruar pas humbjes së thellë

Në krahun tjetër, euforia ka pushtuar Atletikon pas fitores së thellë, edhe pse ishte një miqësore. Trajneri Simeone është munduar t’i ulë me “këmbë në tokë” të tijtë, duke thënë se rezultati nuk tregon vlerta reale të dy skuadrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë