Futboll

Atletiko dhe Juve matin forcat, Siti vizitë në Gjermani

Me ndeshjet e së martës që u mbyllën pa gola, nga dy sfidat e së mërkurës në fazën e 1/8-ve të Champions League pritet të ndryshojë “melodia”. Duke filluar që nga ora 21:00 në fushë do të zbresin katër ekipe. Atletiko Madrid do të presë në “Wanda Metropolitano” për të matur forcat me Juventusin, ku është shumë e vështirë për të parashikuar se cila skuadër do të triumfojë. Ndërsa me lehtë paraqitet kjo fazë e 1/8-ve për Mançester Sitin e Guardiolës, që udhëtojnë drejt Gjermanisë për t’u përballur me Shalke 04.

Mund të quhet një finale e parakohshme, sfida që do të luhet në kryeqytetin spanjoll. Me Simeonen që ka rinovuar kontratën, Atletiko Madrid kërkon të shkojë sa më larg në këtë sezon të Ligës së Kampionëve. Përballë do të ketë Juventusin që në krye të sulmit ka një “killer” si Kristiano Ronaldo, i cili gjatë kohës që ka qenë te Real Madrid i ka shënuar 25 gola. Skuadra është e plotë dhe në formë nga ecuria e javëve të fundit në La Liga, por spanjollët duhet të tregojnë kujdes. Juventus ka një uri shumë të madhe për ta fituar Ligën e Kampionëve. Është i vetmi trofe që mungon te torinezët në këto 10 vite, ku kanë dominuar futbollin italian. Bonuçi dhe Kielini e kanë kaluar dëmtimin dhe me shumë gjasa pritet që të formojnë së bashku qendrën e mbrojtjes. Dilemat e mëdha për bardhezinjtë janë në sulm, se cili do të jetë në krahë të Ronaldos. Duke u nisur nga karakteri i të dy trajnerëve, Alegri dhe Simeone dhe stili i lojës së të dyja skuadrave në “Vanda Metropolitano” pritet të shohim një ndeshje shumë taktike.

Pas vrullit të madh që ka marrë në Premier Ligë, Mançester Siti nuk pritet të has në pengesa serioze edhe në Ligën e Kampionëve. Djemtë e Guardiolës do të udhëtojnë drejt Gjermanisë për t’u ndeshur me Shalken. Gjermanët janë duke kaluar një sezon shumë negativ këtë vit, ku si rrallë herë notojnë në ujërat e ftohta të rënies nga Bundeslia. Përballë një ekipi që duket i frikshëm në pamje të parë, Shalke fillimisht do të përpiqet që të mbrohet mirë për të shmangur ndonjë turpërim përballë tifozëve të saj. Ndërsa për Sitin diskutimi është totalisht i ndryshëm. Me kampionatin që beteja me Liverpulin është në kulmin e saj, “qytetarët” kërkojnë që të paktën çështjen e kualifikimit në Champions ta mbyllin që në ndeshjen e parë për të luajtur më të qetë në kampionat në fundjavë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë