Atletike

Atletikë, dy rekorde botërore brenda një nate në Valencia

Ishte një mbrëmje rekordesh në atletikë në Valencia, ku janë thyer dy rekorde botërore. Pas rekordit në 5000 metra për femra nga etiopiania Letesenbet Gidey, ka rënë edhe “muri” i 10 mijë metrave për meshkuj. Polici nga Uganda, Joshua Cheptegei (i diplomuar edhe në gjuhë), ka vendosur rekord të ri, duke i bërë 10 mijë metrat për kohën 26'11"00. Rekordi i mëparshëm ishte 26'17"53 dhe mbahej nga etiopiani Kenenise Bekele, i cili e kishte vendosur në 2005-ën në Bruksel.

Cheptegei bëhet atleti i tetë në historinë e atletikës që në të njëjtin sezon vendos rekord botëror në 5000 dhe 10000 metra. Ai u bashkohet emrave legjendarë si Paavo Nurmi, Emil Zatopek, Ron Clarke, Lasse Viren, Henry Rono, Haile Gebrselassie dhe Kenenisa Bekele.

Joshua Cheptegei, rekordmen i 10 mijë metrave. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Atleti nga Uganda ka bërë vetëm 3 gara në vitin 2020, duke vendosur të tjera rekorde. Përveç dy rekordeve në pistë, ai ka arritur kohën 12:51 në 5 kilometrat në rrugë, një garë e zhvilluar në shkurt në Montekarlo.

Duhet thënë se edhe ky atlet ka përdorur atletet e prodhuara nga “Nike”, që ndihmojnë për një paraqitje më të mirë, siç ka ndodhur në not me kostumet. Debati për “dopingun teknologjik” ka nisur sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë