Atletike

Atletika zgjedh kreun e ri mes mistereve, heshtjes dhe kaosit. Tre kandidatë në garë

Federata Shqiptare e Atletikës do të zhvillojë mëngjesin e së premtes Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, pas dënimit me 5 vjet të ish-presidentit Gjergj Ruli dhe 4 vjet të sekretarit të përgjithshëm Nikolin Dionisi, nga Njësia e Integritetit të Altetikës, pjesë e Federatës Botërore (IAAF).

Në këtë situatë kanë dalë fillimisht 4 kandidatura për postin e presidentit të FSHA-së. Ato janë: Taulant Stërmasi, trajner i Luiza Gegës; Artan Shyti, ish-president i FSHA-së dhe ish-zv.ministër i sporteve, ish-atlet rekordmen; Ferdinand Canaj ish-zv.president i FSHA-së dhe pedagog në Universitetin e Sporteve; dhe biznesmeni Mirton Lika. Ky i fundit është tërhequr nga gara 24 orë më parë, duke e lënë atë në dorën e 3 pjesëtarëve të familjes së atletikës.

Taulant Stermasi, nje nga kandidatet per kreun e Atletikes, dhe ish-presidenti Gjergj Ruli. Gazeta Si, 18 maj 2023

Të kontaktuar nga Gazeta Si, nga të tre kandidatët, i vetmi që ka pranuar të shpalosë publikisht programin e tij, por edhe t'u përgjigjet disa pyetjeve, ishte Artan Shyti. Taulant Stërmasi, por edhe Ferdinand Canaj, kanë refuzuar çuditërisht për ta bërë këtë gjë publike. Ja dhe intervista me profesor Artan Shytin:

Si lindi kjo ide për të kandiduar për president i FSHA-së?
Në momentin që mbeti vakant vendi i presidentit pata kontakte me disa miq të atletikës dhe më thanë që në një situatë të tillë, kërkohet kontributi im. Në këto kushte, megjithëse e kam të komplikuar shumë ditën e punës, mendova që kësaj kërkese duhet t’i përgjigjem edhe për hatër të përvojës, historisë dhe lidhjes time me atletikën.

Ju keni patur edhe një eksperiencë më parë si kreu i FSHA-së. Ku ndryshon?
Eksperienca ime e parë ishte shumë më e lehtë, pasi isha një person që kisha një fuqi vendimarrëse dhe ekzekutive në ministri dhe si e tillë ishte më kollaj të ndihmoja atletikën dhe të imponohesha, brenda rregullave e statutit. Patjetër që sot nuk e kam këtë mbështetje, por në kompensim kam përvojën dhe ekspertizën që besoj do ta kompensoj këtë mangësi.

Artan Shyti. Gazeta Si, 18 maj 2023

Tirana, por edhe Shqipëria në përgjithësi, ka dhe do të ketë më pak pista me projektet e stadiumeve të reja?
Kjo është situata më problematike që ka pasur ndonjëherë, mungesë sportistësh, trajnerësh, kushtet financiare shumë të ulëta, janë disa nga motivet që më kanë shtyrë për të kandiduar. Sigurisht, është dhe një pengesë e madhe që kur e kam analizuar, kam thenë do të jetë shumë e vështirë dhe e komplikuar, por besoj që mund të fillojmë një rrugëtim bashkë me aktorët që janë sot në atletikë.

Ky rrugëtim do të jetë patjetër i gjatë, minimumi 10-vjeçar. Unë patjetër nuk do të jem gjatë gjithë kësaj kohe në drejtim, pasi kam menduar që një mandat do të jetë mëse i mjaftueshëm për të implementuar disa gjëra dhe pastaj për ta lënë që të tjerët ta vazhdojnë me më tepër energji dhe këmbëngulje. Nëse do të kenë nevojë për eksperiencë dhe ekspertizë, do të jem patjetër aty për t’i mbështetur, por edhe nëse jo, do t’i mirëkuptoj.

Si i shihni këto zgjedhje? Fushata si ka shkuar? Kandidatët e tjerë?
Atletika është një familje e vogël, ka pak klube dhe askush nuk duhet të jetë i përjashtuar. Kushdo ka të drejtë të shprehë dhe japë mendimet e tij. Sigurisht, ka problematika funksionimi që kanë të bëjnë jo me dëshira, por me probleme organizative, pasi bashkë me presidentin është shkarkuar edhe sekretari dhe kjo pjesa e sekretarit ka krijuar andikape të kuptueshme.

Por që unë, me mirëkuptim dhe me bashkëpunim, do t’i kapërcej për të bërë zgjedhjet më të mira për Federatën. Besoj që të gjithë janë të interesuar që t'i shohin këto zgjedhje serioze, të drejta dhe pastaj ai që gjykohet si më i përshtatshmi, të fitojë dhe të vazhdojë.

Logoja e FSHA-se. Gazeta Si, 18 maj 2023

Paqartësitë e organizimit të Asamblesë

Kjo garë për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës do të bëhet për një mandat në vazhdim të atij aktualit të ish-presidentit Gjergj Ruli, deri më 27 gusht të vitit 2024, për të zgjidhur ngërçin e krijuar me aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kishin mbetur pezull për shkak të hetimit ndaj ish-drejtuesve të FSHA-së. Më pas do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore për një mandat 4-vjeçar.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve merr më tepër vlerë edhe për shkak të Lojërave Olimpike, që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Paris 2024, ku do të tentohet që vendi ynë të marrë pjesë me të paktën dy atletë. Mes tyre Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë me kualifikim, dhe një me ftesë, ashtu si në Olimpiadën e shkuar.

Gjithsesi, shumë gjëra mbeten të paqarta në këtë organizim të kësaj Asambleje të Jashtëzakonshme Zgjedhore që do të zhvillohet në ambientet e Kompleksit të Olimpik të federatave sportive, ku mungon ndjeshëm informacioni për gjithçka do të ndodhë, për shkak të mungesës edhe të komunikimit me mediat të kësaj federate dhe organizatorëve të kësaj asambleje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë