Ngjarje

Atentati në Lezhë, pazaret e drogës në vendet e BE pista kryesore e hetimit

Gazeta Si - Automjeti i atentatorëve ndaj kushërinjve Blerim dhe Klisman Preçi në Lezhë është filmuar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve.

Policia ka grumbulluar materialin filmik përgjatë autostradës Lezhë-Milot, por pamjet nuk janë shumë të qarta.

Specialistët lokalë, do t’i dërgojnë ato për ekzaminim të specializuar në Tiranë.

Autorët i kanë ndjekur lëvizjet e kushërinjve Preçi dhe në zonën e Ishull-Lezhë automjeti tip Audi është bërë njësh me fuoristradën.

Më pas, nga sedilja e pasme, një person ka hapur zjarr, duke qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të të rinjve.

Burime nga Prokuroria e Lezhës, bëjnë me dije se pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek prishja pazareve të drogës mes grupeve në vendet e Bashkimit Evropian, ku jeton Blerim Preçi bashkë me të vëllanë.

Preçi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika dhe atentatorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e tij.

Në dëshminë e parë në polici, shënjestra e atentatit ka deklaruar se nuk ka konflikte, por hetuesit po kalojnë në sitë të gjithë veprimtarinë e tij në vendet e BE.

Në reagimin e tij të parë pas atentatit, i Blerim Preçi ka qenë në gjendje të traumatizuar.

“A nuk kam plumba në kokë?”, - i është drejtuar ai një qytetari që kishte ndaluar makinën, pak sekonda pas ngjarjes.

“Eja tek lokali atje, eja tek lokali vrap, se e thirrën mjekun, e thirrën policinë”, - ia ktheu qytetari.

Atentati ndodhi mbrëmjen e 14 majit 2022  në dalje te qytetit, në zonën e ishull Lezhës. Nga të shtënat ata nuk pësuan lëndime, duke shpëtuar për mrekulli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë