Ngjarje

Atentati i dështuar në Shkodër, mesazhi i panjohur në celularin e Suida Kukës për tritolin në makinë

Gazeta Si - Suida Kuka, s’do ta kishte zbuluar pakon me tritol në gomën e parë të makinës, nëse në celularin e saj nuk do të kishte mbërritur një mesazh paralajmërues.

Sipas burimeve hetimore, Drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, është njoftuar në telefon me sms për një shpërthim të mundshëm eksplozivi.

Mësohet se 28-vjeçarja ka marrë një mesazh nga një numër i panjohur, për të cilin ajo ka deklaruar në polici se nuk e njeh.

Menjëherë pas këtij mesazhi, Kuka ka njoftuar në telefon forcat e policisë së Shkodrës, të cilët kanë rrethuar zonën dhe evakuuan të gjithë institucionin.

Pas deklaratës së saj, Prokuroria dhe Policia e Shkodrës, po hetojnë edhe në lidhje me tabulatet telefonike dhe po kërkohet gjurmimi i numrit që dërgoi mesazhin.

Në dëshminë e saj, Suida Kuka ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona te tjerë, ndërkohë që edhe sa i takon detyrës si drejtuese e institucionit, nuk ka pasur konflikte apo presione.

Sipas policisë, në pakon e mbështjellë me një qese të vogël, ndodheshin rreth 200 gramë lëndë plasëse në gomën e parë automjetit.

Eksplozivi ka qenë i lidhur me sistem të telekomanduar përmes një telefoni dhe policia e aktivizoi përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person që lëvizte me motor, i cili hedh qesen me tritol në gomën e parë të automjetit, i cili ishte i parkuar pranë institucionit të drejtuar nga e reja.

Ende nuk ka një pistë zyrtare hetimi nga ana e policisë së Shkodrës, megjithatë burime në rrugë jo zyrtare, shprehen se po hetohet në lidhje me pozicionin e punës së 28-vjeçares.

Policia është duke verifikuar vendimet e Kukës gjatë detyrës së saj si drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, për të zbuluar nëse gjatë kësaj periudhe ka qenë apo jo dikush i prekur prej kësaj veprimtarie që mund të çojë deri në vendosjen e një bombe poshtë makinës.

Po ashtu, një pistë tjetër është dhe ajo e ndonjë gjobe të papaguar. Mësohet se babai i saj është biznesmen dhe dyshohet se ndonjë prej grupeve kriminale të Shkodrës t’i ketë vënë gjobë të atit të saj dhe pasi ai nuk e ka paguar, ta kenë paralajmëruar përmes së bijës.

Kohët e fundit kanë qenë të shumta rastet e vendosjes së eksplozivit në Shkodër.

Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti, janë regjistruar 5 raste shpërthimi, ndërsa shënjestër e tyre kanë qenë edhe punonjës të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë