Ngjarje

“Batërdia” me pronat në bregdet – Skema: Rëra ndahet si tokë kooperative

Gjykata e Durrësit caktoi ditën e diel masën e sigurisë arrest me burg për 9 nga 17 ish-zyrtarë dhe persona përfitues, që përmes mashtrimit përvetësuan 68 mijë metra katrorë të pronës shtetërore në zonën e Kepit të Rodonit.

Skema e përdorur nga grupi i personave të arrestuar ishte e thjeshtë; pronës shtetërore i ndryshohej fillimisht zëri kadastral nga zonë joprodhuese në tokë bujqësore, privatizohej përmes Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi (AMTP) të falsifikuara dhe më pas u shitej personave të tjerë.

Ky është rasti më i freskët, por jo i vetmi në batërdinë që u është bërë kryesisht pronave shtetërore në bregdet. Këto prona, për shkak të pozicionimit në zona me përparësi turistike kanë qenë preja më e lakmuar dhe njëkohësisht edhe më të lehtat për t’u përvetësuar përmes falsifikimit të dokumentacionit nga persona të tretë në bashkëpunim me zyrtarë dhe ish-zyrtarë shtetërorë, që përmes korrupsionit me një firmë e vulë, ndryshonin destinacionin e pronës në forma nga më të bujshmet.

Fenomeni ndodh prej kohësh, por vetëm në vitet e fundit, sidomos pas 2015 dhe reformës administrativo-territoriale që shkriu komunat e vogla bregdetare me bashkitë e mëdha, është shpërfaqur më tepër. Nga Velipoja e deri në Ksamil janë disa aksione të bujshme që kanë çuar në pranga dhjetëra persona me akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumentacionit dhe përvetësimit të pronës shtetërore në mënyrë të paligjshme.

Në Spille, Karaburun, Zvërnec, Shëngjin, Rana e Hedhun e deri në Razmë, skema e përdorur ka qenë thuajse identike; ndryshimi i zërit kadastral në hipoteka nga “ranishte”, “pisha”, apo “park natyror” në “tokë arë” apo “kullotë”. Ky ndryshim i zhvishte pronat në fjalë nga statusi i pronave të mbrojtura që nuk mund të tjetërsoheshin.

Shpella e Piratëve në Karaburun. Gazeta Si, 28 tetor 2019

Pastaj skema vazhdon me falsifikimin e dokumentacioneve dhe vulave shtetërore e përmes këtij falsifikimi regjistrimi i pronës shtetërore me statuse të ndryshuara tek banorë vendas, mundësisht me probleme të theksuara sociale dhe ekonomike. Regjistrimi kryhej herë duke përdorur ligjin për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve dhe herë duke përdorur ligjin 7501. Në të dyja rastet, përfituesit fillestar nuk e gëzonin këtë pronë, pasi ajo blihej nga persona të tretë kundrejt shifrave qesharake.

Tre janë rastet më të bujshme të kësaj skeme. Në të parin, një mirëmbajtës i varrezave në qytetin e Vlorës u bë papritur pronar i një prone me vlerë mbi 200 mln euro në zonën e Karaburunit dhe fshatin Zvërnec. Në total bëhej fjalë për rreth 300 hektarë tokë shtetërore e përvetësuar përmes vendimesh të falsifikuara të gjykatave.

Sipas këtyre vendimeve të falsifikuara, gjykatat detyronin Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë që të regjistronin pronat në fjalë në emër të mirëmbajtësit të varrezave. Skema u bë publike në 2017, kur në pranga përfunduan dhjetëra persona, që nga avokatë, noterë, arkivistë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë.

Rasti tjetër i bujshëm mbërrin nga Rrogozhina. Një person, që Gazeta “Si” mëson se ndodhej në listën e personave me ndihmë sociale, u shndërrua krejt papritur në pronar i 30 hektarëve tokë në bregdetin e lakmuar të Spillesë. Në dokumentacionin e zotëruar nga personi në fjalë (për identitetin e të cilit Gazeta “Si” është në dijeni, por që nuk mund ta publikojë) toka e kaluar në emrin e tij figuronte “tokë arë”, por në të vërtetë ishte “ranishte”.

Plazhi i Spillesë. Gazeta Si, 28 tetor 2019

Në dosjen e Prokurorisë së Kavajës thuhet se prona më pas është shitur e copëzuar tek shtetas të tjerë disa herë. Organi i akuzës beson se shitjet janë fiktive dhe që janë bërë për të humbur gjurmët dhe emrin e blerësit fundor.

Përmasat e kësaj skeme në këtë zonë u përhapën aq shumë sa nuk i shpëtoi as Poligoni i Qitjes, një pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, që pas disa transaksioneve shit-blerjeje përfundoi në zotërim të biznesmenit Idlir Karkini. Karkini është një emër i njohur, pasi kompania e tij ka mirëmbajtjen e sistemit të radarëve të ushtrisë. Ai u hetua dhe gjykua në mungesë, ku fitoi pafajësinë, pasi sipas vendimit të Gjykatës së Kavajës të tetorit 2018, Karkini ishte vetëm blerës dhe nuk provohej se ishte i përfshirë në skemën e mashtrimit.

E njëjta skemë përsëritet edhe në Lezhë. Në zonën e Shëngjinit, Ranës së Hedhun dhe Kune Vain, bregdeti u privatizua pasi më parë u ndryshua prona nga kategoria “ranishte” në “tokë arë”. Si në të gjitha rastet e tjera, ndryshimi ishte vetëm në letrat e falsifikuara, ndërsa në terren, ranishtja mbetej ranishte. Ndryshimi bëhej për t’u mundësuar abuzuesve privatizimin e këtyre pronave sipas ligjit 7501, që ndan tokën bujqësore.

Pjesa më e madhe e personave që kanë rënë në prangat e policisë dhe më pas hetuar nga prokuroria dhe dënuar nga gjykata, kanë qenë “viktima” të skemave mashtruese. Gjykatat nuk kanë dënuar deri më tani asnjë përfitues fundor të pronave të tjetërsuar sipas kësaj skeme falsifikimesh dhe mashtrimi. Rasti i Idlir Karkinit në Spille është më tipiku, ndërkohë që rasti i Pëllumb Petritajt në Vlorë është ende nën hetim.

Si zgjidhje, Qeveria ka gjetur rrugën e bllokimit të dhënies së titujve të pronësisë sipas ligjit 7501 në zonat bregdetare. Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaronte në shtator të 2018 se vendimi ishte i detyruar nga denoncimet e shumta që kishin mbërritur mbi abuzimet me pronat shtetërore. Ai paralajmëronte qytetarët që të bënin kujdes me blerjen e tokave që janë me dokumentacion sipas ligjit 7501 në zonat bregdetare, sepse janë që të gjitha problematike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë