Kombetarja

‘Ata vërtet që dinë të thyejnë sulme’. Trajneri çek: Ndodh që të humbasësh në Shqipëri!

Shqipëria mori një fitore të madhe në Air Albania ndaj Çekisë duke fituar me shifrat 3-0 e duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt kualifikimit për në Euro 2024, verën e ardhshme në Gjermani. Nga ana tjetër, ky rezultat fut në krizë çekët që e shohin veten të tretët në grup pas Polonisë së vendit të dytë. Pankina e trajneri Jaroslav Šilhavý është lëkundur me këtë të fundit që rrezikon shkarkimin. Pas sfidës me kuqezinjtë tekniku i Çekisë u shpreh se mirëpret vendimin e Federatës ndërsa shtoi se një humbje në Shqipëri, edhe në inferioritet numerik qëndron.

A do të prezantosh dorëheqjen pas kësaj ndeshje?

“Është një temë delikate që duhet menduar, detyra ime tashmë është të përgatis skuadrën për ndeshjen e radhës, të dielën ndaj Ishujve Faroe. Nuk e di se çfarë vendimi do të marrë Federata. Ishte një rezultat i keq dhe është një humbje që nuk më pëlqen. Por, duhet të shohim edhe si erdhi ajo, nuk dua të justifikohem. Por, me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje, atëherë edhe një rezultat i tillë qëndron”.

Përse pësoi skuadra një humbje kaq turpëruese?

“Patëm një qasje të gabuar të ndeshjes, e komplikuam shumë dhe në vend që të ishim konkretë, nisëm të luanim në hapësira të qeta. Pastaj pësuam që në goditjen e parë që morëm. Ishte një goditje e fortë nga distanca, kundërshtari më pas u mbrojt mirë. Në vend që të barazonim, ngelëm me 10 vetë. Kërkuam që të rriskonim pak më shumë, por ata dinin shumë mirë të thyenin aksionet. Ishin të rreshtuar mirë në mbrojtje dhe bënë kundërsulme të shpejta, ne nuk patëm sukses”, u shpreh Šilhavý. (Supersport)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë