Irena Beqiraj

Mos flisni për SPAK dhe politikën nëse nuk doni që..!


Në vitin 1954 Albert Hastorf psikolog në Universitetin e Dartmouth -it dhe Hadley Cantril homologu i tij në Universitetin Princeton, u kërkuan studentëve të tyre që të gjejnë gabimet dhe të vlerësojnë ashpërsinë e lojtareve gjatë një ndeshjeje futbolli midis dy ekipeve të dy kolegjeve. Ishte një lojë e ashpër, një qendërmbrojtës kishte thyer këmbën. Studentët e Dartmouth prireshin të anashkalonin faullet e Dartmouthit, por ishin të shpejtë për të kapur mëkatet e lojtarëve të Princeton. Studentët e Princeton kishin prirje të kundërt. 

Studiuesit arritën në përfundimin se, pavarësisht se u shfaqën të njëjtat pamje, studentët e Dartmouth dhe Princeton nuk panë të njëjtën ngjarje. Secili student kishte perceptimin e tij, të lidhur ngushtë me përkatësinë personale. Titulli i punimit ishte “Ata panë të njejtën lojë”.

Njerëzve u pëlqen ta mendojmë veten si qenie racionale, por racionaliteti ynë dëmtohet kur angazhohet "arsyetimi i motivuar".

Përshembull, arsyetimi i motivuar ishte një aleat i fuqishëm i industrisë së duhanit në vitet 1960,  për të sfumuar lidhjen midis cigares dhe tumorit të mushkërive e cila u mbështet në atë kohë nga shkencëtarët kryesorë të mjekësisë në botë. 

Nëse jeni të varur nga duhani dhe shumë shkencëtarë ju thonë se është vdekjeprurës, por industria e duhanit ju thotë se nevojiten më shumë kërkime për ta vërtetuar këtë, çfarë do të dëshironit të besonit? 

Jon Christensen, gazetar edhe profesor në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos,  shkroi një studim në vitin 2008 për mënyrën se si industria e duhanit ngriti strategjinë e saj të komunikimit publik pikërisht mbi angazhimin e arsyetimin të motivuar.

Një memo famëkeqe e brendshme e kompanisë së duhanit Broën & Ëilliamson, e shkruar në verën e vitit 1969, e parashtronte shumë qartë ketë strategji.

"Dyshimi duhet të jetë produkti ynë".  Pse?  Sepse dyshimi është mjeti më i mirë për të konkurruar me faktet që po i serviren publikut të gjerë. Dyshimi është gjithashtu mjeti për të krijuar një polemikë. ”Mantra jonë duhet të jetë ‘mbajeni të gjallë polemikën".

Studimi i Christensen për fushatën e komunikimit  publik  të industrisë së duhanit zbulon po ashtu se industria përdori besimin e shumë gazetarëve që ishin duhanpirës duke i bërë ata lajmëtarë idealë për industrinë. Këta gazetarë donin dëshpërimisht të besonin se zakoni i tyre ishte i mirë.

Debati i sotëm mbi drejtësinë, politikën edhe korrupsionin duket një debat i ndotur nga arsyetimi i motivuar, edhe duket e pamundur që faktet të ndihmojnë.

Për një çështje të ngarkuar politikisht, duket sikur sigurimi i informacionit të saktë do t’i  bashkojë njerëzit, por e kundërta është e vërtetë sepse :

1. Njerëzit kur dëgjojmë fakte përthithin në mënyrë selektive ato fakte që u përshtatet besimeve të tyre injorojnë atë që nuk u përshtatet dhe riinterpretojnë gjithçka që munden. 

2. Në këto kushte, më shumë fakte do të thotë më shumë lëndë e parë për mullirin e arsyetimit të motivuar.

3.Përpjekjet për të mposhtur gënjeshtrën, me përgënjeshtrimet e pafundme thjesht e bëjnë gënjeshtrën më të fortë. Shkatërrimi i mitive duket se funksionon, por më pas kujtimet  zbehen dhe njerëzit kujtojnë vetëm mitet.

Këto ditë nga bisedat edhe komentet me miqtë e mi kam vërtetuar katërciperisht atë që thotë Dan Kahan, profesor i drejtësisë dhe psikologjisë në Yale i cili shkruan: "Grupet me besime të kundërta shpesh bëhen jo më pak, por më shumë të polarizuara, kur ekspozohen ndaj fakteve"

Mësimi që nxorra këto ditë është: "Nëse doni t’i mbani miqtë edhe nëse nuk jeni të rinj mjaftueshëm për të bërë armiq, në këto kohë  mos flisni për SPAK, politikën apo sistemin partiak, nuk i shërben askujt as vetes, as miqve e aq më pak të vërtetës”


Copyright © Gazeta “Si”