Rend dhe Ligj

(a)SPAK i sabotuar? – Si po luhet loja për kryeprokurorin

Kuvendi kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që brenda muajit dhjetor të zgjidhet kryeprokurori i ri dhe të ngrihet me numër minimal prokurorësh Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Por, sa më shumë shtrëngohen afatet, aq më të shpeshta po bëhen seancat plenare që dështojnë në KLP kur në tryezë diskutohen çështje që lidhen me këto dy tema.

Në mbledhjen e kësaj të hëne (21 tetor), KLP kishte në agjendë edhe diskutimet mbi numrin e prokurorëve që do të nisnin punën tek Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Aktualisht, tetë është numri i prokurorëve që kanë kaluar të dyja shkallët e vettingut dhe që janë kualifikuar si kandidatë për SPAK, nga 15 që ishte numri i kandidatëve të shpallur nga KLP disa muaj më parë.

Pjesa tjetër ose nuk ka kaluar vettingun, ose janë shkarkuar nga vettingu. Në grupin e atyre që nuk e kanë kaluar vettingun ndodhet edhe Besnik Muçi, që së fundmi u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta.

Nisur nga mungesa e emrave, njëri prej propozimeve që po qarkullon është që KLP ta ngrejë SPAK-un me 8 prokurorë. Por, Kushtetuta sanksionon se numri i prokurorëve të kësaj trupe duhet të jetë jo më pak se 10 prokurorë. Për ta plotësuar këtë vakuum është propozuar që dy prokurorë të emërohen si të komanduar nga KLP.

Shqyrtimi i kësaj formule nuk ka gjetur dakordësinë brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prokurori Besnik Cani, ish-këshilltar i kryeprokurores Arta Marku e shtyu mbledhjen e kësaj të hëne me argumentin se nuk kishte marrë në kohë projekt-aktet që duhet të diskutoheshin në këtë mbledhje.

Cani tha se projekt-aktet i ishin dorëzuar vetëm ditën e premte dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke mos përmbushur kushtin ligjor që kërkon që anëtarët e KLP-së të njihen me projekt-aktet të paktën 7 ditë para seancës plenare të miratimit, ose rrëzimit të tyre.

“Lidhur me thirrjen e mbledhjen e sotme, unë nuk kam marrë njoftim në orarin zyrtar të punës. E-maili ka mbërritur 16:47 të datës 18, ditë e premte. Vetëm sot kam pasur mundësinë të aksesoj këtë rend dite dhe të shoh vetëm disa prej akteve. Kërkoj që mbledhja të shtyhet dhe të na jepet afati 7-ditor”, tha Cani në fillim të mbledhjes.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi shprehu mospajtim me kërkesën e anëtarit të trupës që drejton, por përballë rregullores u detyrua që të deklaronte mbylljen e mbledhjes dhe dhënien e afatit kohor të kërkuar nga Besnik Cani.

Kjo nuk është hera e parë që Besnik Cani, ish-këshilltar i Arta Markut, shndërrohet në protagonist në shtyrjen e seancave plenare vendimmarrëse të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Me të njëjtin argumentim, ai arriti që të shtyjë edhe vendimmarrjen e KLP-së më 27 shtator për metodologjinë e vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Por, kësaj radhe, shtyrja duket se nuk lidhet më shumë me ngritjen e SPAK, sesa me qëllimin e ngjeshjes së agjendës së KLP-së dhe zgjatjen sa më shumë të vendimmarrjes për metodologjinë e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri.

Përveç kësaj, vendimmarrja për këtë metodologji ka mbetur pezull për shkak të ankesës së avokatit Lulzim Allushaj, që kërkon në Gjykatën e Apelit Administrativ rikthimin në garën për kryeprokuror, duke rrëzuar vendimin e KLP-së, sipas të cilit Allushaj nuk plotëson kriterin e 15 viteve punë si jurist i spitakur.

Çuditërisht edhe në Gjykatën e Apelit afatet ligjore janë shkelur përmes arsyetimeve nga më të ndryshme, që nga kërkesa për plotësimin e padisë, tek ajo e relatores së çështjes që tha se kishte babain sëmurë, e deri këtë të hënë, ku mungoi një tjetër gjyqtar i kësaj trupe.

Pra, padia e avokatit Lulzim Allushaj në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, ndaj vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e skualifikoi nga gara për kryeprokuror po merr gjithnjë e më shumë trajtën e një sage që nuk po mbyllet, duke përforcuar dyshimet e ngritura nga Gazeta “Si”, se zvarritja e kësaj çështje është e qëllimshme.

Këtë të hënë gjykata duhej të shqyrtonte ankimimin e avokatit, por seanca është shtyrë sërish dhe këtë radhë sërish shkak është bërë mungesa e një prej gjyqtarëve të trupës gjykuese.

Kjo është shtyrja e radhës. Më datë 16 tetor, seanca u shty për shkak se gjyqtarja Bernina Kondi, njëra nga gjyqtaret e trupës gjykuese kërkoi shtyrje me argumentin se ka të atin sëmurë.

Allushaj dorëzoi ankimimin më datë 2 tetor, në limitet kohore të lejuara nga ligji për të kundërshtuar vendimin e KLP-së. Më datë 9 tetor, po në limitet kohore që ligji i ngarkonte gjykatës për të shqyrtuar këtë padi, Apeli Administrativ gjeti mangësi në dosjen e dorëzuar nga avokati dhe i kërkoi atij plotësimin e dosjes.

Të gjitha këto veprime të Gjykatës së Apelit Administrativ, por edhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që nuk ka miratuar ende metodologjinë e vlerësimit të kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm me mandat të plotë zvarrisin zgjedhjen e kryeprokurorit.

Në pritje të vendimit të Apelit për Allushajn, në garë janë zyrtarisht tre kandidatë. Arta Marku, Olsian Çelaj dhe Fatjona Memçaj garojnë për postin e kryeprokurorit. Nga të tre kandidatët, shtyrja e zgjedhjes së kryeprokurorit duket se po favorizon vetëm një; Arta Markun.

Vlerësimi i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm kryhet sipas neneve 6, 7, 8 dhe 9 të rregullores së miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të botuar në Fletoren Zyrtare më 28 mars të këtij viti. Neni 6-të përcakton vlerësimin e integritetit profesional në pesë kritere.

Nga CV-ja, Arta Marku dukshëm ka një disavantazh të theksuar ndaj Fatjona Memçajt, por sidomos ndaj Olsian Çelajt në katër kriteret e para të përcaktuara në nenin 6 të rregullores së KLP për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Nisur nga kjo, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme shpreson që të marrë pikët maksimale në kriterin e fundit të këtij neni që kanë të bëjë me punime akademike, studime shkencore, shkrime dhe ligjërata profesionale, botime, pjesëmarrje në aktivitete shkencore, pjesëmarrje në procesin e hartimit ose të konsultimit të legjislacionit dhe çdo angazhim tjetër profesional i kandidatit gjatë 5 viteve të fundit në fushën e të drejtës.

Në varësi të angazhimit në këto fusha, kjo pikë përcakton se kandidatët vlerësohen nga një deri në katër pikë në total. Pikët maksimale duket se synon të shfrytëzojë Arta Marku, të cilës statusi i kryeprokurores së Shqipërisë i ka mundësuar pjesëmarrjen në disa konferenca, vendore dhe ndërkombëtare, e fundit prej të cilave pak ditë më parë Paris, ku ishte e pranishme në Konferencën Vjetore të rrjetit të Prokurorëve të Përgjithshëm të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë