Kosova

Asociacioni barrë e rëndë për Kurtin. A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë?

Analistët politikë në Kosovë paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme dhe shkak për këtë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tyre, themelimi ose refuzimi i Asociacionit është barrë e rëndë për kryeministrin Albin Kurti, ndaj në fillim të vitit 2024, mund të priten zgjedhje të parakohshme në vend.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Asociacioni pritet të bëhet shkas që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të reja në Kosovë. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është në një pozicion tejet të pafavorshëm për çfarëdolloj veprimi që merr për Asociacionit. Ai thekson se mosthemelimi i Asociacionit ka alternativë vetëm izolimin e Kosovës, prandaj në bazë të rrethanave të reja duhet të ketë një rilegjitimim politik në vend.

Edhe analisti tjetër Dritëro Arifi i sheh të mundshme zgjedhjet e reja në Kosovë. Ai thotë se Kurti e ka delegjitimuar vetveten me pranimin e Asociacionin dhe me themelimin e tij në praktikë duhet t’i drejtohet sovranit për legjitimet të ri.

Kurti së fundmi ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Duke iu përgjigjur të dërguarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili gjatë kësaj jave deklaroi se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti ka thënë se ai mund të shkruajë një draft-statut në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

Kurti në tetor të këtij viti ka pranuar planin nga europianët dhe amerikanët për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi si dhe draft-statutin e Asociacionit, por ka kërkuar firmën e tyre si garanci për zbatim.

Qeveria Kurti është zgjedhur në Kuvend më mars të vitit 2021, derisa ka mandat deri në mars të vitit 2025. /Kosovapress


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë