Politike

Presheva e izoluar, s’ka të infektuar, por as ndihmë

Rreth 2 mijë shqiptarë janë të izoluar plotësisht në Luginën e Preshevës për shkak të koronavirusit, ndërkohë që masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria serbe kushtëzojnë aktivitetin ekonomik nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 17:00 të pasdites.

Këto masa kanë vështirësuar edhe më tej jetën për mijëra banorë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Autoritetet lokale thonë se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, por problem është ndihma për kategoritë e prekura më fort nga izolimi, si pensionistë, apo aktivitetet ekonomike që janë mbyllur.

Zëdhënësi i Komunës së Preshevës deklaron se deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë, qoftë nga Qeveria e Kosovës, qoftë nga ajo e Shqipërisë dhe po ashtu kanë munguar edhe donacionet nga diaspora, e cila vetë është prekur nga masat shtrënguese të ndërmarra nga vendet europiane të prekura nga pandemia.

Ndërkohë, mediat lokale akuzojnë autoritetet e Beogradit për diskriminim në ndarjen e ndihmave materiale dhe financiare në këtë zonë, duke i lënë qindra-mijëra qytetarët shqiptarë në izolim dhe vështirësi të mëdha financiare.

Presidenti Ilir Meta njoftoi këtë të premte se ka zhvilluar disa biseda telefonike për t’u njohur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai thotë se ka bisedua me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kreun e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe me kreun e këshilltarëve vendorë shqiptarë në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihu.

“Presidenti Meta u interesua për gjendjen shëndetësore të qytetarëve në Luginë, si dhe shprehu solidaritetin e plotë me ta në këto momente të vështira. Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që deri tani situata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë paraqitet e qëndrueshme sa i përket përhapjes së pandemisë COVID-19”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca.

Një ditë më parë, Partia Demokratike i kujtoi Qeverisë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërore.

“Lugina e Preshevës po përballet me pasojat e COVID-19. Për situatën e veçantë ku ndodhen, i bëj thirrje qeverisë të ofrojë asistencë shëndetësore përmes personelit mjekësor. Ndihma për vëllezërit dhe motrat tona atje, është detyrim kombëtar dhe kushtetues”, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale, Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë