Futboll

Asllani kalon me sukses provën, Interi merr një tjetër shuplakë nga Roma

Gazeta Si - Roma ka mundur 1-2 Interin në ‘San Siro’, madje me përmbysje. Skuadra e Mourinjos ngjitet përkohësisht në vend të 4-t, ndërsa Interi dështoi në tentativën për një rinisje me fitore në kampionat. Ndeshje pozitive nga Asllani, për herë të parë titullar.

Humbja e dytë radhazi për zikaltrit, pas asaj me Udinezen, dhe e treta në total në kampionat, që i lë ata me 12 pikë, 8 pikë larg Napolit kryesues.

Skuadra e Inzagit e nisi mirë dhe kaloi në avantazh pas gjysmë ore lojë. Dimarko gjuajti saktë rrafsh me tokën dhe Rui Patricio nuk mundi ta ndalë. Pak para fundit të pjesës së parë Dibala barazoi me një gjuajtje fluturimthi. Në pjesën e dytë Interi iu afrua disa herë golit të avantazhit, por u ndëshkuan nga Smolling çerek ore para fundit.

Asllani bëri një paraqitje realitivisht të mirë në ndeshjen e parë si titullar me Interin. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 6, vetëm Dimarko ishte më lart se ai në radhët e zikaltërve.

‘Asllani 6 – Ndonjë pakujdesi në minutat e para, por një punë e mirë në regji. Asnjë gabim, por gjithmonë i koordinuar dhe preciz. Iu afrua golit me një të djathtë të bukur në pjesën e dytë’. Ky është vlerësimi i Sportmediaset për mesfushorin shqiptar.

Asllani gjate ndeshjes. Gazeta Si, 1 tetor 2022

Ndeshja për Asllanin zgjati 78 minuta. Ai u ndëshkua me karton të verdhë dhe u zëvendësua nga Mkhitarian. Pati edhe një mundësi të mirë shënimi, por fati nuk ishte me të, pasi topi kaloi vetëm pak centimetra larg portës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë