Futboll

Asllani intrigon edhe Juventusin, torinezët me strategji të qartë për mesfushorin

Gazeta Si - Emri i Kristjan Asllanit, talentit të fundit të Kombëtares shqiptare, figuron tashmë edhe në bllokun e drejtuesve të Juventusit. Elbasanasi i Empolit ka treguar nivel të lartë gjatë ndeshjeve që ka luajtur në Serinë A, pavarësisht moshës së re. Mesfushori 20-vjeçar tashmë po ndiqet nga klubet më të mëdha italiane dhe jo vetëm.

Juventusi, sipas shtypit sportiv italian, ka një strategji konkrete për Asllanin, për të cilin është gati t’i ofrojë Empolit 4-5 milionë euro, si dhe sulmuesin Luka Xanimakia, aktualisht i huazuar te Kremoneze. Empoli e pëlqen shumë këtë lojtar dhe mund të dorëzohet për lëshuar Asllanin. Por ofertat për futbollistin kuqezi janë në rritje dhe klubi i Empolit sigurisht që kërkon të përfitojë sa më shumë.

Asllani (numri 13) me ekipin para miqësores me Gjeorgjinë. Gazeta Si, 7 prill 2022

Asllani debutoi edhe me fanellën e Shqipërisë. Në miqësoren e fundit ndaj Gjeorgjisë ai u aktivizua si titullar nga trajneri Reja dhe bëri një paraqitje shumë të mirë. Në eliminatoret e ardhshme mesfushori me siguri do të jetë një nga pikat kyçe të kuqezinjve.

Me kalimin në një klub më të madh se Empoli, Kristjan Asllani mund të bëhet më i rëndësishëm edhe për Shqipërinë. Ai është një lojtar me të ardhme të sigurt dhe përveç yllit Broja në sulm, Kombëtarja jona ka edhe një yll tjetër në mesfushë. Për të ka pasur interes kohët e fundit edhe nga Interi dhe Sasuolo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë