Kombetarja

Asllani e Ramadani: Receta anti-Moldavi, mbajtje topi dhe shpejtësi!

Gazeta Si – Dy mesfushorët e qendrës, Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani, folën sot në konferencë shtypi për sfidën e radhës me Moldavinë. Kjo është ndeshja e dytë në kualifikueset e Euro 2024 për kuqezinjtë, aktualisht me 0 pikë në grup.

Kristjan Asllani, i cili vjen në grumbullimin kuqezi pas emocioneve të finales së Ligës së Kampionëve me Interin, ka theksuar se Kombëtarja shqiptare ka një grup të fortë lojtarësh, që mund të shkojë larg. Ai dhe Ramadani janë shprehur se ndaj Moldavisë kuqezinjtë duhet të kenë kontrollin e topit sa më gjatë për të shkuar te goli.

“Ishte ëndërr të shkoja në finalen e Championsit, sepse jam tifoz i Interit që fëmijë. Kam mësuar shumë nga lojtarët që kam në skuadër dhe kam ardhur me objektivin për të marrë 3 pikët me Moldavinë. Ne duhet të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe të arrijmë te ëndrra për të shkuar në Europian.

Ata do të na presin në gjysmëfushën e tyre, ne duhet ta mbajmë sa më shumë topin. Me trajnerin Silvinjo kam një raport shumë të mirë, ka komunikuar me mua. Mund të arrijmë larg, kemi një grup shumë të mirë, me lojtarë të fortë.

Është bukur të luash në Tiranë, shpresojmë që tifozët ta mbushin stadiumin në këtë ndeshje. Po luajmë me 4 mbrojtës, me Poloninë kishim përballë një kundërshtar të fortë, me Moldavinë duhet ta mbajmë sa më shumë topin, siç e thashë, sepse po e mbajte topin do të arrish të shënosh gol” – tha Asllani mes të tjerash.

Në po këtë linjë ishte edhe mesfushori tjetër, Ylber Ramadani: “Ne duhet të kemi shumë kujdes, nuk ka më skuadra favorite, apo skuadra të dobëta. Duhet seriozitet dhe duhet dhënë 100% në fushë ndeshje pas ndeshje. Ata do të mbrohen shumë, na duhet të kemi kontrollin e topit dhe ta luajmë sa më shpejt që të shënojmë gol. Trajneri e ka studiuar kundërshtarin dhe duhet të bëjmë atë që do të na kërkojë ai. Besoj se me kualitetin që kemi dhe mbështetjen e tifozëve, ta fitojmë ndeshjen me Moldavinë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë