Atletike

Askush si fenomeni Harrison, kërcen 2.36 metra së larti dhe 8.45 së gjati

Një kërcim së larti 2.36 metra dhe një së gjati 8.24 metra (në mars ka kërcyer 8.45 metra). Një fenomen i vërtetë JuVaughn Harrison: 22-vjeçari nga Louisiana është përmirësuar në kampionatet universitare dhe së fundi ka realizuar një tjetër kombinim impresionues rezultatesh. I pari në histori që kërcen të paktën 8.40 së gjati dhe 2.30 së larti, më mirë se gjermani Henry Lauterbach, që në vitet 1978-1981 arriti 2.30 së larti dhe 8.35 së gjati.

I lindur dhe rritur në Huntsville, një qytet i vogël i Alabamës, i gjatë 1.93, Harrison ka prindër xhamajkianë dhe atletikën e ka në gjak. Nëna Georgia ka vrapuar me pengesa në lice. Para se të zgjidhte atlketikën JuVaughn ka provuar edhe futbollin dhe basketbollin në Louisiana University. Më pas iu dedikua vetëm kërcimit së gjati dhe së larti. “Nëse do më pyesnin vitet e para në universitet, do të thosha se preferoja kërcimin së larti, - ka thënë ai për “World Athletics”. - Sot më pëlqejnë të dyja disiplinat njësoj. E adhuroj ndjenjën e kalimit të stekës dhe më pëlqen të dal nga rëra, duke ditur se kam kërcyer shumë larg. Arsyeja pse nuk bëhen të dyja është se kanë teknika të ndryshme. Mjafton të gjesh ekuilibrin”.

Harrison në një kërcim së larti. Gazeta Si, 16 maj 2021

Nga vjeshta e 2017-ës, kur shkoi në universitet dhe nisi të stërvitej me Tom lane, progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. “Më grumbulluan për kërcimin së larti, pastaj më thanë që të bëja edhe kërcimin së gjati për të më hequr pak presionin, sepse të përqendrohesha aq shumë te një gjë, mund të ishte negative”, - tregon atleti.

Harrison në një kërcim së gjati. Gazeta Si, 16 maj 2021

Ish-shoku i dhomës, Mondo Duplantis (mbajtës i rekordit të kërcimit me shkop) del garant për Harrison: “Ka shumë besim në vetvete, nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se sa të mëdha janë gjërat që ai po bën”. Atleti thotë se nuk ka sekrete, por vetëm punë. Ai e ka modeluar trupin, duke e rritur forcën vetëm me punë dhe stërvitje gjithë vitin në palestër. “Është stërvitur shumë, është bërë shumë më i fortë”, - thotë trajneri Dennis Shaver. Edhe mendërisht është më i fortë. “Thjesht kam besuar te trajnerët e mi”, - ka thënë Harrison.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë