Politike

Askush s’e do karrigen e hipotekës në Vlorë, PD: Luftë bandash për Jalën

Karrigia e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në qytetin e Vlorës është më shumë se e parehatshme. Drejtorja e sapokomanduar në këtë pozicion, Viola Hima ka dorëzuar dorëheqjen, duke u bërë drejtuesi i tetë që largohet nga ky pozicion që prej 2015-ës, para se ASHK të mblidhet në një strukturë të vetme hipotekat dhe legalizimet.

Hima u komandua në këtë pozicion vetëm pak ditë më parë, duke zëvendësuar Bilbil Aliajn, një tjetër drejtues që u dorëhoq më 22 maj, pak më shumë se tre muaj që kishte marrë detyrën, gjithashtu si drejtues i komanduar. Në vend të Viola Himës është caktuar drejtor i komanduar Jurgen Pilkati.

E përbashkëta e pjesës më të madhe të dorëheqjeve është arsyetimi “për arsye personale familjare”. Por, Partia Demokratike thotë se dorëheqjet “vetë me arsyet personale” nuk lidhen. Opozita deklaron se hipoteka e Vlorës prej vitesh është në mes të konfliktit mes dy bandave për çështjen e pronësisë së bregdetit të Jalës. Njëra bandë, sipas PD, është në Qeveri.

“Dorëheqja e gjashtë në Kadastrën e Vlorës është dëshmia më e pakundërshtueshme se Shqipëria nuk ka qeveri për qytetarët, por një bandë që lufton me një bandë tjetër për të grabitur bregdetin dhe pasuritë e tjera. Vizitat qesharake blic të Erion Braçes dhe urdhrat e pavlerë politikë të Edi Ramës për t’i falur bregdetin e Jalit mikut të tij kanë përfunduar në koshin e plehrave. Nëse Edi Rama do të kishte harxhuar kaq shumë kohë dhe energji jo për të grabitur prona, por për problemet e vërteta të qytetarëve, sot nuk do të ishin në prag falimentimi me mijëra biznese”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Nada Meçorapaj.

Ish-deputetja paralajmëron se as drejtori i ri nuk do të qëndrojë shumë në këtë detyrë.

“Sepse askush nuk është i gatshëm te shkojë në burg për të bërë Edi Ramën pronar të paligjshëm edhe të bregdetit të Jalit”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë