Sociale

Ashpërsohen masat: Universitetet vetëm online, në 22.00 mbyllen lokalet në Bllok

Në një komunikim për mediat zëvendësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli, ka deklaruar se duke parë situatën në vend është menduar nga Komiteti i Ekspertëve se janë të nevojshme masa shtesë për të kontrolluar virusin: Universitetet të kryejnë mësimin vetëm online për të paktën një muaj, ndërsa konviktet do të jenë të mbyllura në një vendim të dytë. Gjithashtu, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve dhe kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë, pas orës 22:00 duke qenë se konstatohet një vatër rreziku në këtë zonë.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm në distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën në dinamikë. Aulat dhe konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.
Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljn e pjesshme për aktivitete e lokaleve, bareve e në zonën e Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.
“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit të rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.
“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100,000 banorë. Aktualisht jane rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e te cilave jane perqendruar ne Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese por dhe me sezonin e vjeshtes që sjell më shumë grumbullime në ambjentet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ju ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.
"Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojme mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë