Kombetarja

As kombëtaret e moshave nuk japin shpresë

Skuadra U-21 nën drejtimin e Alban Bushit vijon të koleksionojë humbjet, njëra pas tjetrës. E radhës për kuqezinjtë nën 21 vjeç, ishte me Italinë në shifrat 3-1. Sfida e zhvilluar në ishullin e Sardenjës ka treguar se kombëtarja jonë duhet akoma të punojë me këtë grupmoshë, sa përket stilit të lojës dhe bashkëpunimit mes reparteve edhe pse talentet dhe lojtarët e spikatur individualisht nuk mungojnë. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-0, ku vendasit shënuan me anë të Dimarco. Në 45 minutat e para ishin për t’u harruar, në pjesën e dytë skuadra e Bushit dha disa shenja reagimi. Në këtë fraksion janë shënuar më shumë raste dhe madje arritëm të barazonim shifrat në 1 me 1 me anë të Vrionit në minutën e 91’. Por kur u mendua se çdo gjë do të shkonte drejt një barazimi, italianët kanë befasur duke shënuar dy gola të shpejtë në kohën shtesë më anë të Murgia ’92 dhe Parigini ’94.

Në kohën kur kombëtarja e madhe e futbollit është ndoshta në ditët e saj më të këqija, nuk kanë të ndalur lajmet e këqija. Futbolli shqiptar nuk është në ditë të mira edhe në sektorin e moshave, ku ditën e martë kemi marrë dy rezultate negative. Humbje për ekipin shpresë përballë moshatarëve italianë dhe barazim 1-1 për ekipin U-17.

Por formë të dobët kanë treguar edhe 17-vjeçarët nën drejtimin e Xhemal Mustedanagiç. Ekipi i teknikut boshnjak, që njëkohësisht mban edhe rolin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 me Kosovën, që nuk ka më shumë se një disa vite që e ka krijuar këtë kombëtare për këtë moshë. Ndeshja e luajtur në “Loro Boriçi” ka parë superiorë djemtë e Kosovës që treguan se mund të japin për ekipin e madh në një të ardhme të afërt. Si në ndeshjen e parë, ku Kosova fitoi 1-0 edhe në këtë përballje të dy golat u shënuan në fraksionin e dytë të lojës. Për Kosovën shënoi fillimisht Asllani në minutën e 50’. Ndërkohë rezultati u barazua nga Cahani në minutën e 79’.

Synimi i këtij ekipi është të shkojë deri në fazën “Elite Round” edhe pse tekniku boshnjak në konferencën për shtyp të para disa ditëve kishte deklaruar se do të jetë shumë e vështirë, pasi rivalët janë shumë të fort.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë