Kombetarja

As ekuilibër e as pragmatizëm, Reja nuk u bë asnjëherë De Biazi

Fatjon Rupi - Një skuadër merr zakonisht fytyrën e trajnerit që e drejton. Luan futbollin e tij dhe ka një fizionomi të qartë. Fizonomi që Kombëtares shqiptare i ka munguar vitet e fundit, kur atë e drejtoi Edi Reja.

Dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve treguan se Kombëtarja jonë ka turbulenca të theksuara. Ka një disekuilibër të habitshëm edhe brenda një 90-minutëshi. Mjafton një gabim dhe pastaj shpërfytyrohet dhe rrezikon të zhdëpet me gola. Nuk ka ego, nerv, dinamizëm.

Edi Reja, trajneri i Kombetares. Gazeta Si, 12 qershor 2022

‘Unë jap udhëzimet, pastaj në fushë shkojnë lojtarët’, tha trajneri Reja pas humbjes me Izraelin. Ai vuri në dukje plot irritim gabimet e lojtarëve, duke kaluar në pozicionin e një analisti sportiv.

Gabimet për të cilat Reja foli qëndrojnë, por ekuilibrin skuadrës në fushë është ai që ia jep. Gabimet e lojtarëve në fushë nuk justifikojnë trajnerin. Përgjegjësitë e tij mbeten, aq më tepër kur mungon ekuilibri taktik.

Kur Kombëtarja luan mirë në fragmente të caktuara, do të thotë se mundësitë janë. Pastaj është dora e trajnerit që i jep ekuilibër. Dora e Rejës realisht shumë pak është ndjerë, për të mos thënë aspak.

Ndonjëherë duket sikur lojtarët hyjnë në fushë dhe thjesht bëjnë atë që dinë të bëjnë. Atë që kanë mësuar në klubet e tyre. Por Kombëtarja është tjetër gjë. Shqipëria nuk ka yje dhe i nevojitet kompaktësi, sakrificë dhe ekuilibër nga fillimi në fund të ndeshjes për të marrë rezultat.

Kombëtarja e Rejës gjithashtu nuk ishte aspak një skuadër pragmatiste. Nuk ka asnjë ngjashmëri me Shqipërinë e patriotit të tij Xhani De Biazi. Kombëtarja e De Biazit kishte si ekuilibrin në fushë, ashtu edhe pragmatizmin.

De Biazi, kur drejtonte Shqiperine. Gazeta Si, 12 qershor 2022

De Biazi arriti të krijonte një skuadër shumë kompakte, që kishte profilin e saj. Shumëkush thotë se suksesi historik i Euro 2016 erdhi nga fitorja në tavolinë ndaj Serbisë. Patjetër, ky faktor ndikoi, por puna dhe meritat e De Biazit janë të pamohueshme.

Ish-trajneri kuqezi diti t’i merrte maksimumin atij grupi lojtarësh që kishte në dispozicioin. Shqipëria e De Biazit ndoshta nuk ishte e bukur, por mbrohej shumë mirë, sulmonte me pak forca, por jepte më shumë siguri në lojë.

Ekuilibri taktik ishte i padiskutueshëm. Skuadra ishte më efikase në rastet për gol që krijonte. De Biazi e kishte plotësisht nën kontroll grupin që drejtonte.

Rejës i ka munguar një lider si Cana, por kishte lojtarë me kualitet. Dhe kishte shumë, kishte mundësinë të zgjidhte. Kishte alternativa për formacionin dhe për të ndërhyrë nga stoli. Megjithatë, Kombëtarja e tij dukej shpesh një ekip amorf.

Reja i irrituar gjate ndeshjes me Izraelin. Gazeta Si, 12 qershor 2022

Nuk kishim një Kombëtare kompetitive, ky është fakt. Nuk kishim ekuilibër, nuk bëmë as lojë dhe as marrem rezultate. Zgjedhjet teknike pastaj janë një çështje tjetër. Skema e shumëpërfolur e tij 3-5-2 është vetëm një diskutim numrash.

Eksperienca e Rejës është e konsiderueshme, por nuk mjaftoi. Ajo që është vërtetuar gjatë kësaj periudhe është se në asnjë moment Kombëtarja nuk ka marrë fytyrën e tij. Asnjëherë Reja nuk u bë të paktën De Biazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë