Ekspozite

Art në hapësira publike/ Konkurruan 132 projekte, shpallen 8 fituesit

Nga Gazeta Si - Në praninë e artistëve, anëtarëve të jurisë, kolegjiumit, përfaqësive diplomatike etj, janë prezantuar projektet fituese të Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirat Publike”.

Projektet fituese u përkasin krijuesve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Italia, Polonia, Greqia e Kina. Ato do të implementohen në hapësira publike, si mbikalime, rrethrrotullime e nyje infrastrukturore, me qëllim përmirësimin e imazhit të tyre.

Për këtë nismë Qeveria Shqiptare ka akorduar një fond prej 200 milionë lekësh.

“Që në momentin kur u ideua nisma ‘Art në Hapësira Publike’, synimi ishte i qartë: Të përmirësojë imazhin e hapësirave publike jo thjesht duke vendosur diku një vepër artistike, por duke kryer punime në terren: të përcjellë shije estetike, por edhe duke angazhuar skuadra të tëra jo thjesht krijuesish, por edhe arkitektësh, inxhinierësh etj. Pra është një nismë që rrezatimin e vet e ka shumë të gjerë dhe nuk fillon e mbaron në studion e një artisti”, shprehet Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në këtë projekt përpos artistëve shqiptarë, pjesëmarrja ka qenë e gjerë që nga Italia, Greqia, Turqia, Polonia, deri edhe nga Kina, India, Meksika, Pakistani.

Nga 132 projekte konkurruese, fazën e parë e kaluan 30 të tilla, që duhet të kalonin një tjetër fazë pasi të kishin detajuar projektin, preventivët, grupet e punës, afatet etj.

Dhe pas vlerësimit nga juria ndërkombëtare e përbërë nga artisti Helidon Xhixha (kryetar), arkitektja Frida Pashako, gazetari dhe kuratori Michele Bonuomo, artisti bashkëkohor Gregor Hildebrandt dhe kuratori i njohur Bernhard Scheenk doli me një listë prej 8 projektesh fituese, që do të implementohen në bashkitë Tiranë, Kavajë, Divjakë, Malësi e Madhe.

Shpallja e fituesve të konkursit “Art në hapësira publike”

Në listën e Ministrisë së Kulturës janë artisti Kristo Krisiko me “Meteor” - Golem plazh; Lio Ruowang nga Kina me “Wolves Coming” - Hyrje Koplik; Ergys Krisiko me “Mbërritja e zogjve” mbikalimi Pallati me Shigjeta; Karolina Halatek nga Polonia me “Terminal of Tirana”- QSUT; Sadik Spahija me “Zabel”- Dalje Koplik; Blegina Hasko Bezo me projektin “Përpjekja e vazhdueshme”- Mali i Robit; Vasil Dhiamandi me projektin “Foleza”- rrethrrotullimi Divjakë; Alfred Milot Mirashi me “Albanian Key”-Kryqëzimi Dogana Hani Hotit.

Vepra të tjera, 6 prej tyre, që nuk arritën të shpalleshin fituese të këtij edicioni, por janë vlerësuar nga juria, kanë mundësi që ose të përshtaten për lokacione të tjera të kësaj thirrjeje dhe të implementohen në edicionin e ardhshëm ose në vendndodhje të tjera, jashtë listës së shpallur, në bashki të tjera të vendit.

Sipas ministres Margariti tashmë është shprehur interesimi nga disa bashki për realizimin e veprave artistike dhe ky është një fond i gatshëm që mund të përdoret për këtë qëllim.

Ndërkohë për çdo ankesë është hapur faza e ankimimit, e cila mbyllet në datën 28 tetor 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë