Vizatimore

Art me objekte përditshmërie: Kur shampoja kthehet në anije kozmike 

Anijashampo bazohet në një markë të famshme të kujdesit për flokët. Foto: Eric Geusz

Shumica prej nesh nuk ndalet gjatë të mendojë për sendet që na rrethojnë. Por për imagjinatën e Eric Geusz-it, qëruesit e thjeshtë të patateve apo shishet e shampove janë mjete të hatashme ndërgalaktike, të afta për të udhëtuar në hapësirë.

Spinner ISS, i modeluar nga një vërvitës. Imazh: Eric Geusz

Për Eric Geusz, është e vështirë të kujtojë një kohë kur nuk vizatonte anije kozmike. “Kam nisur të shoh Star Wars, më 1997-ën, kur isha ende fëmijë dhe mendoj se ka pasur ndikim të madh tek unë. Unë dhe vëllezërit e mi, bënin shumë modele anijesh kozmike me Lego. I bënim duke i ngjitur pjesët bashkë dhe lyenim me spraj objektet e shkencës që mamaja i linte vërdallë, si pipetat dhe epruvetat. Ndonjëherë vendosnim edhe fishekzjarrë që të shpërthenin. Gjithashtu në shkollë, ndonjëherë imagjinoja se goma ishte një nga ato raketat në Star Trek dhe i vizatoja dritare të vogla dhe detaje në të.”

Kur u rrit, Eric-u u bë një zhvillues softuerësh, por vijoi të vizatonte në kohën e lirë dhe zbuloi se ende shihte anije kozmike në sendet rrotull tij. Nisi t’i postojë online dhe prej asaj kohe ka ngritur edhe një bazë admiruesish, në mediet sociale. “Të bëj art, më ndihmon të çlodhem nga ditët e gjata të kodimeve dhe zgjidhjeve të problemeve dhe ua rekomandoj të gjithëve si formë meditimi. Mendoj se modeli im i preferuar, që kam realizuar deri tani, është Shampooship (Anijashampo). Megjithatë kam edhe shumë në mendje që shpresoj do të jenë edhe më të mira.”

Luftuesi i Luke Skywalker-it  X-Wing | Foto: Dances With Wolvezs / Alamy

Geusz është frymëzuar gjithashtu nga anijet hapësinore të vërteta dhe modelet klasike, që i ka parë nga televizori. “Kam qenë një fans i madh i raketave. Jam edhe fans i madh i familjes së raketave ruse R-7, që ishte raketa për kapsulën e Suezit. Një model shumë i hatashëm.

Mes të parapëlqyerve nga filmat dhe televizioni janë Viper Mark II , nga Battlestar Galactica, Taiidan Interceptor nga Homeworld, Ebon Hawk nga loja e Star Wars “Kalorësit e  Republikës së vjetër” dhe “kush nuk e dashuron  Luftuesin e Yjeve T-65B X-Wing nga Star Wars?”.

Variantet e raketave ruse R-7. Foto: Wikimedia

Nisja e raketës Atlantis, më 2009-ën. Imazhet: NASA

Arti i Eric-ut priret të marrë formë në medien tradicionale përpara se të shndërrohen në digjitale. “Procesi im është gjithnjë në ndryshim, por zakonisht bëj më shumë skica me laps derisa gjej diçka që bën punë. Pastaj e përdor në versionin dixhital me Photoshopin në tablet. Ndonjëherë e bëj edhe në version 3 dimensional, që të kuptoj format më saktë. Kam shumë ide që dua t’i realizoj dhe shpresoj të krijoj një libër me piktura për njerëzit që do të donin pak frymëzim në tavolinën e kafes. Nuk kam bërë më parë diçka të tillë, por jam gati për sfidë. U jap zemër të gjithëve të ëndërrojnë më shumë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë