Futboll

Arsenal-Çelsi, përballja për një vend në Ligën e Kampionëve

Premier Liga e këtij sezoni është me më shumë dilema se kurrë. Janë dy rivalët kryesorë për titullin kampion, por për katër vendet e para parashikohet një luftë e vërtetë. Totenham, Çelsi, Arsenali, por edhe Mançester Junajtid pritet që të garojnë me njëra tjetrën deri në fund për një vend mes katër më të mirave. Një ndeshje që pritet të përcaktojë shumë për këtë renditje do të luhet këtë të shtune në “Emirates Stadium” mes vendasve të Arsenal dhe miqve të Çelsit. Përballja është më shumë se një sfidë për vendin e tretë, por është edhe derbi londinez që zbret më shumë tituj në fushë.

Çelsi dhe Arsenali janë dy ekipe shumë të ngjashme në këtë sezon. Të dyja në një fazë tranzicioni dhe me trajnerë të rinj në stol, “topçinjtë” dhe “blutë” po bëhen gati në këtë sezon që të rikthehen pretendentë për titullin kampion shumë shpejt.

Në sfidën e kësaj të shtune, trajneri Unai Emeri nuk ka shumë mungesa dhe mund të mbështet tek të gjithë titullarët e tij. Aubumejang është në formën e tij më të mirë dhe për këtë gjë te Arsenali janë të gjithë shumë të lumtur dhe gëzuar. Por edhe Mauricio Sarri është në pozita të favorshme në prag të kësaj ndeshje. Tekniku italian me një ekip me shumë pak alternativa në dispozicion ia ka dalë deri më tani që të renditet në vendin e katërt. Aktualisht është në kuotën e 47 pikëve, 6 më shumë se Arsenali dhe një fitore këtë të premte do të thoshte se shanset për pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve rriteshin ndjeshëm.

Sfida Arsenal-Çelsi e vlefshme për javën e 23’ të Premier Ligë do të luhet duke filluar që nga ora 18:30 e kësaj të shtune dhe të gjithë tifozët kanë mundësinë ta ndjekin drejtpërdrejtë përmes platformës Digitalb në kanalin Supersport 3.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë