Atletike

Arriti majat me Luiza Gegën, Taulant Stërmasi trajneri i vitit në Europë

Gazeta Si - Taulant Stërmasi është zgjedhur trajneri më i mirë i vitit 2022 nga Federata Europiane e Atletikës. Arritja e madhe e Luzia Gegës, e cila u shpall kampione Europe, bëri që Stërmasi të propozohej nga Federata Shqiptare e Atletikës tek ajo ndërkombëtare për këtë vlerësim.

Çmimi i është dorëzuar sot trajnerit Stërmasi në një ceremoni, ku merrnin pjesë edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, si dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi.

Trajneri Taulant Stermasi dhe presidenti i Federates se Atletikes, Gjergj Ruli. Gazeta Si, 28 tetor 2022

“Rezultatet e deritanishme ua dedikoj sportistëve të mi, sepse kanë sakrifikuar shumë. Ata kanë derdhur djersë dhe mund në pistat e atletikës. Prej 22 vitesh merrem me atletikën dhe, nëse nuk do të ishin këta sportistë, do të isha një njeri krejt normal”, - është shprehur Stërmasi.

Vlerësimi për trajnerin Stërmasi ka entuziazmuar edhe kampionen Luiza Gega, e cila ka theksuar: “Arsyeja që ia dedikoj rezultatet trajnerit tim është se ka bërë punë të madhe me mua.

Kemi 15 vite që punojmë bashkë dhe gjithmonë ka besuar tek unë. Gjithnjë kemi menduar se do t’ia arrijmë, kështu që e falënderoj për çfarë ka dhënë për mua. Pa trajnerin tim, nuk do të isha në këto nivele”.

“Objektivi i afërt është kualifikimi për në Lojërat Olimpike Paris 2024, por në të njëjtën kohë të bëjmë më mirë se ky vit që iku bashkë me Luizën dhe atletë të tjerë”, - tha më tej trajneri Taulant Stërmasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë