Gazeta Si – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë përfunduar takimin e radhës për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke arritur një marrëveshje.
Pas negociatave mes dy palëve, është vendosur që kandidati për postin e presidentit të jetë Bekim Sejdiu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Para takimit, Kurti u shpreh optimist se palët mund të gjenin një dakordësi, duke theksuar se ekzistonte vullnet i mirë dhe mundësi reale për një marrëveshje.
“E kemi vullnetin e mirë, i kemi mundësitë reale. Tash po ecim përpara dhe urojmë të arrijmë në një marrëveshje”, deklaroi Kurti para hyrjes në takim.
Ndërkohë, Abdixhiku, i cili mbërriti në Kuvend para Kurtit, nuk dha deklarata për mediat para nisjes së bisedimeve.
Marrëveshja pritet të hapë rrugën për procedurat parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Bekim Sejdiu, ka dhënë deklaratën e parë për media, pasi u propozua si president i Kosovës. Ai tha se gjatë negociatave mes VV-së dhe LDK-së, emri i tij ka arritur të jetë ai dakordues mes dy partive.
Ndër të tjera ai u shpreh se do t’u shërbej me devotshmëri popullit të Kosovës.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike. Duke qenë i vetdijëshëm edhe me barrën edhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë,.. që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh kandidati për president.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje