Kombetarja

Arrihet akordi me Edi Rejën, firmos të martën për Shqipërinë

Prej së martës së 16 prillit, Kombëtarja e Shqipërisë do të jetë me trajner të ri dhe ai është Edoardo Reja, italiani 73-vjeçar i lindur në Slloveni. Gjithçka pritet të marrë formë zyrtare nesër, por nga burime jo zyrtare është mësuar se marrëveshja është arritur tashmë për pasuesin e Kristian Panuçit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk heq dorë nga trajnerët italianë. Reja ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës disa javë më parë. Ai ndoqi nga afër ndeshjen Shqipëri-Turqi, 0-2, dhe në atë kohë u shpreh se kishte ardhur në Shkodër për të ndjekur disa lojtarë, por u kuptua qartë se cili ishte misioni i tij i vërtetë nga njerëzit që e shoqëronin. Më pas janë bërë edhe bisedime të tjera me këtë trajner, për të arritur marrëveshjen, që do të finalizohet nesër me firmën në kontratë. Reja do të jetë trajneri i katërt italian që do të ulet në stolin kuqezi, pas Dosenës, De Biazit dhe Panuçit.

Edi Reja

Karriera e Edi Rejës është mjaft e pasur. Ai ka drejtuar skuadra me emër të Serisë A, si Lacio, Napoli, Atalanta, Torino dhe Xhenoa, por edhe shumë skuadra të tjera si Kaljari, Katania, Breshia, Leçe, Viçenca, Kozenca, Peskara etj. Atalanta është ekipi i fundit që ka drejtuar. Trajneri 73-vjeçar ka pasur edhe një aventurë të shkurtër tek Hajduku i Splitit në Kroaci. Napoli dhe Lacio janë dy eksperiencat më të mira të Edi Rejës si trajner, pasi me këto dy skuadra ka punuar më gjatë. Napolin e ka drejtuar në 185 ndeshje, kurse Lacion në 10 ndeshje. Është një trajner mjaft kërkues dhe që i mëshon disiplinës taktike. Skema e tij e preferuar është 3-5-2, por mbetet për t’u parë, nëse te Shqipëria do të zgjedhë këtë skemë.

Përveç Edi Rejës, si kandidatë për stolin e Shqipërisë janë përfolur edhe emrat e italianëve të tjerë De Kanio, Donadoni dhe Xakeroni. Presidenti i FSHF-së, Duka, ka pohuar më parë se trajneri mund të ishte edhe shqiptar, ku emri më i diskutuar ishte Besnik Hasi, por tashmë nuk ka më dyshime. Me zyrtarizimin e Rejës do të mësohen edhe detajet e kontratës së tij me Shqipërinë, kohëzgjatja, ana financiare dhe objektivi. Pas ndeshjes me Turqinë, Reja ishte shprehur se skuadra kuqezi kishte probleme dhe ai e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë sapo të nisë punën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë