Kombetarja

Arrihet akordi, Edi Reja rinovon për 4 vjet me Shqipërinë

Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka bërë ende zyrtare, por tashmë është punë e kryer. Edi Reja do të jetë trajneri i kuqezinjve edhe për katër vitet e ardhshme, pasi italiani 74-vjeçar dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kanë arritur akordin.

Reja do ta drejtojë Shqipërinë në eliminatoret e Botërorit 2022 dhe ato të Europianit 2024. Ai e njeh mirë grupin tashmë, pasi ka 6 muaj në krye të Shqipërisë, kështu që është parë e udhës për t’i besuar këtij trajneri, edhe pse në dy ndeshjet e fundit skuadra sikur e prishi pak humorin e drejtuesve dhe të tifozëve të saj.

Me firmosjen zyrtarisht të kontratës, do të mësohen edhe detaje të tjera. Palët fillimisht nuk ishin dakord për kohëzgjatjen e kontratës, sepse Reja kërkonte rinovim 2-vjeçar, kurse presidenti Duka 4-vjeçar dhe në fund ka fituar kreu i FSHF-së. Shqipëria do të vazhdojë me Rejan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë