Futboll

Arrestohet numri 2 i FIFA-s në Paris, akuzohet për korrupsion

Akuzat për korrupsion në strukturat drejtuese të futbollit botëror po bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Në pranga ka përfunduar së fundi numri 2 i FIFA-s, Ahmad Ahmad, i cili ka mbajtur edhe postin e presidentit të Konfederatës së Afrikës. Pikërisht për shkak të këtij roli ai është arrestuar, ndërkohë që nga institucioni i drejtuar nga Xhani Infantino ka pasur një komunikatë diplomatike, ku bëhet me dije se nuk ka dijeni për hetimin në fjalë.

Zëvendëspresidenti i FIFA-s, Ahmad Ahmad, akuzohet për korrupsion. Arrestimi i tij është bërë në Paris dhe vjen një ditë pas konfirmimit të Xhani Infantinos në krye të FIFA-s, në vigjilje të Kupës së Botës në futboll për femra, që starton nesër në Paris. E ka konfirmuar arrestimin e Ahmad vetë FIFA, që me një komunikatë zyrtare saktëson se gjithçka lidhet me kohën, kur ai drejtonte futbollin afrikan:

"Ahmad është marrë në pyetje nga autoritet franceze në lidhje me akuzat që i takojnë mandatit të tij si president i Konfederatës Afrikane të Futbollit. FIFA nuk ka dijeni për detajet e këtij hetimi dhe nuk mund të japë asnjë koment specifik. Do t'u kërkojmë autoriteteve franceze çdo informacion, që do të jetë i vlefshëm për hetimin që do të bëhet tashmë nga Komisioni i Etikës", - shkruhet në komunikatën e shpërndarë nga FIFA, që është maksimalisht e impenjuar për zbardhjen e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë