Rend dhe Ligj

Arrestohet në Tiranë me qëllim ekstradimi ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj. Nxori emrat e dëshmitarëve të gjyqeve speciale

Gazeta Si - Arrestohet në Tiranë Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së. Policia thotë se 45-vjeçari i lindur në Fier, por banues në Tiranë, është ndaluar me qëllim ekstradimin, me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës.

Policia shton se ka ekzekutuar ditën e sotme vendimin e Gjykatës së Tiranës që për të ka caktuar masën “Arrest me burg”. Po ashtu, ndaj tij është kryer kontroll fizik dhe i banesës.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit Dritan Goxhaj, si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit Dritan Goxhaj, 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.

Arrestimi i Goxhajt mësohet se është bërë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njoftoi policia.

Goxhaj i ishte bashkuar ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë