Ana e errët

Arrestohet në Paraguai djali i ish-prefektit të Shkodrës. Dosja me borxhe dhe mashtrime fajdesh

Policia e Paraguait ka arrestuar Elton Radovanin, djalin e ish-prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani.
Elton Radovani është arrestuar, pasi Interpoli e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas mediave paraguaiane, urdhri i arrestit ndërkombëtar ishte për shkak të krimeve të mashtrimit bankar dhe financiar dhe u vu në dispozicion për qëllime ekstradimi drejt Shqipërisë.
Radovani është arrestuar më 3 tetor në Paraguai në një autostradë atje dhe tashme pritet ekstradimi drejt Shqipërisë.
Ndaj ish-prefektit Paulin Radovani, vazhdojnë seancat dhe hetimet për mashtrim dhe borxhe të pashlyera në shifra marramendëse.

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë më 26 mars të këtij viti masën “arrest me burg” në mungesë për dy djemtë e ish-prefektit, Paulin Radovani. Ndërkohë vendosi  “detyrim paraqitje” për ish-prefektin me synim që ky i fundit të mos largohet jashtë vendit.
Prokuroria ka nisur një hetim kryesisht për dy djemtë dhe ish-prefektin me akuzën për mashtrim.

Ish-prefekti bëri një denoncim ndaj 22 personave, teksa 12 prej tyre u arrestuan dhe tre të tjerë janë në kërkim, të tjerët kanë masa me të lehta.
Gazeta “Si” ka botuar edhe përgjimet që çuan nën pranga grupin e fajdexhinjve të Shkodrës. Gjithçka ka nisur kur ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani u detyrua të shkojë në dyert e policisë, atëherë kur çdo ditë borxhdhënësi i vinte në biznesin e tij dhe i kërkonte shumat e dhëna dy djemve të tij, Robertit dhe Eltonit.
Dy djemtë ishin larguar nga Shqipëria, por gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

Gjykata e Apelit liroi 6 nga 12 të ndaluarit e operacionit ‘Maranaj’ në datën 3 prill 2019, të akuzuar për një skemë fajdesh në Shkodër.

"Arrest me burg" u vendos për Berhan Alijan, Edi Memçajn, Artan Dragonin, Ilir Sokolin, Pashko Vuksanelajn. Ndërsa "Burg me afat 60 ditor" u dha  për Lulzim Syljan për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

"Detyrim paraqitje" u dha për Naim Ahmetin, Adri Balën, Eduart Fushën, Vinko Nikprelajn, Elidon Qerimajn dhe Marjan Bregun.

Në datë 14 mars, Policia dhe Prokuroria zbuluan një skemë fajdesh në Shkodër. 23% ishte interesi në javë, nëse nuk ktheheshin lekët grupi i merrte prona dhe makina dhe i kalonin në emër të tyre.

Të përfshirë rezultuan ish-kancelarë gjykate, noterë, policë dhe një ish-drejtues i LSI-së te Patentat në Shkodër. Ilir Sokoli u kap në tentativë për t’u arratisur, në Morinë. Në total u arrestuan 12 persona, ndërsa 4 u shpallën në kërkim dhe 3 u pezulluan nga detyra.

Gjatë operacionit u sekuestruan makina, prona, armë dhe rreth 500 mijë euro, ndërkohë që u pezullua një polic, noterja dhe një drejtor në bashkine e Shkodrës.

Skema u denoncua nga ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani.

Elton dhe Robert Radovani, u vunë në hetim me akuzën për mashtrim, pasi grupi i të arrestuarve për skemën e fajdeve, pretendojnë se kjo histori eshte e sajuar nga Paulin Radovani. Ish-prefekti Radovani ishte personi që bëri një denoncim ndaj 22 personave për një skemë fajdesh me përqindje të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë