Gazeta Si – Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu u arrestua të mërkurën si pjesë e një hetimi për korrupsion, sipas mediave turke .
Ai gjithashtu akuzohet se ishte lider i një organizate kriminale, manipulim tenderash dhe ndihmë për organizatë terroriste.
Mediat lokale të lajmeve raportuan se një grup i madh i personelit të sigurisë rrethoi shtëpinë e Imamoglu përpara se ta merrte në paraburgim.
Herët në mëngjes, këshilltari për media i Imamoglu, Murat Ongun tha në një postim në X se ai po ndalohej, por nuk dha një arsye.
Imamoglu tha në X se qindra policë ishin para shtëpisë së tij, duke shtuar se ai nuk do të dorëzohej dhe do të vazhdonte t’i rezistonte presionit.
Autoritetet turke kanë urdhëruar gjithashtu arrestimin e rreth 100 të dyshuarve të tjerë, duke përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, si pjesë e të njëjtit hetim për korrupsion.
“Ne po përballemi me një tirani të madhe, por dua ta dini se nuk do të dorëzohem”, tha kryebashkiaku i konsideruar si rivali kryesor i Erdoganit, në mesazhin në X me të cilin njoftoi arrestimin e tij.
CHP, partia më e madhe opozitare në Turqi, me të cilën Imamoglu u zgjodh dy herë kryebashkiak i Stambollit, e përkufizoi arrestimin si “një grusht shteti kundër vullnetit kombëtar”.
Pas arrestimit të kryebashkiakut, prefektura e Stambollit ka ndaluar deri më 23 mars demonstratat politike dhe leximet publike të njoftimeve për shtyp.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.