Drejtësia

Arrestohet avokati, kërkoi 12 mijë € për të ndikuar për një ekstradim nga Italia

Një avokat është arrestuar në Tiranë me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se i ka marrë një familjeje 5 mijë euro për të ekstraduar të afërmin e tyre nga Italia në Shqipëri.

Lavdosh Shehu u ka premtuar dhe siguruar atyre se është në gjendje për të ushtruar ndikim te funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e ekstradimit. Ngjarja, e cila ka ndodhur në vitin 2020, u denoncua në media nga emisioni “Sop”.

SPAK bën me dije se Shehu fillimisht i ka kërkuar një shumë prej 12.000 eurosh, familjarëve të të dënuarit F.H., duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e ekstradimit të tij nga Italia për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Ndërkohë, organi i akuzës, thekson se Shehu ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit një shumë prej 5.000 eurosh.

Më pas SPAK çështjen e ka dërguar në gjykatë dhe për avokatin Lavdosh Shehu është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.

Ndaj tij rëndon akuza për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë