Politike

Arrestimi i zyrtarit të FBI-së, Rama: S’kam asnjë lidhje me akuzat

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës sa i përket arrestimit të ish-zyrtart të FBI-së, Charles McGonigal. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryeministri thekson se nuk ka asnjë lidhje me akuzat që i janë bërë McGonigal.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Por më tej ai thekson se nuk ka ndërmend që të merret me sqarimin e këtyre sulmeve të opozitës, që fillimisht u lëshuan nga deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur. Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, mbyll postimin e tij Rama.

Berisha akuzoi Ramën se përdori agjentin sekretet për spiunuar për lobimet e PD-së në SHBA dhe për çështjen e parave ruse. “Në vorbullën e stuhisë së krijuar nga McGonigal gjendet sipas të gjitha mediave të botës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe dy leitentanët kryesorë të Edi Ramës. Ish-zyrtari i lartë i qeverisë së tij, aktualisht paraqitet si këshilltar, një super mafioz me lidhje ndër më të dyshimtat që quhet Dorian Duçka. Dhe i dyti, bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, ish-oficer i policisë sekrete hoxhiste, Agron Neza. Të hetohet çdo pagesë dhuratë, që i është dhënë atij nga Agron Neza, që paraqitej si këshilltar për sigurinë e Edi Ramës, Dorian Duçka si këshilltar i plotfuqishëm i Edi Ramës, ose çdo person i lidhur me qeverinë e Shqipërisë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë