Ka ndodhur

Arratiset një i dënuar për dhunë në familje nga burgu i Shënkollit, iku nga dhoma e infermierisë. Policia ofron 10 mijë € për kapjen e tij: Paraqet rrezik!

Gazeta Si – Një i dënuar për dhunë në familje në burgun e Shënkollit në Lezhë, është arratisur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.

Daut Laze, 49 vjeç, i lindur më 30 gusht 1976 në Çorovodë dhe banues në Tiranë. ishte i shtruar në dhomën e mjekimeve të burgut të Lezhës, ku dyshohet të ketë shfrytëzuar mundësinë për t’u arratisur.

Në një njoftim, Policia e Shtetit tha se ofron 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm për vendndodhjen e 49-vjeçarit.

“Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”.

Mungesa e tij, është konstatuar nga personeli i burgjeve në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.

Në njoftimin zyrtar, policia thekson se 49-vjeçari pararqet rrezikshmëri shoqërore dhe për këtë arsye kërkohet ndihma e qytetarëve për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit për çdo të dhënë lidhur me vendndodhjen e tij.

Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje” dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”.

Pas kontrollit nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se Laze me mjekim të detyruar ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për t’u larguar nga rrethimi i institucionit, ndërsa policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij dhe ka hapur hetime për zbardhjen e rastit.

“Ai ishte arrestuar më 16 nëntor 2021. Me vendimin nr. 528, akti datë 4 nëntor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46 të Kodit Penal. Pas kontrollit të menjëhershëm nga stafi i policisë në institucion, është vërejtur se ky shtetas me mjekim të detyruar, ka shfrytëzuar hapësirat e mundshme të cilat janë në parametrat e institucionit të posaçëm mjekësor për tu larguar nga rrethimi i institucionit”, – njoftoi sot Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë