Shkencë

Aroma, sekreti pse gjithë bota pëlqen çokollatën

Studiuesit kanë analizuar çokollatat dhe kanë arritur të tregojnë arsyen, se pse ky produkt është kaq i veçantë, për të gjithë njerëzit në mbarë botën. Sipas tyre, faktori kryesor tërheqës i këtij produkti është aroma unike që përmban.
Sipas ekspertëve të kontrollit ushqimor në Gjermani, aroma e mirë e çokollatës vjen nga një përzierje përbërësish. Për shembull, përzierja e shurupit të trëndafilit dhe çokollatës. Arsyeja se pse këto produkte e bëjnë të veçantë dhe të parezistueshme çokollatën, është se ato përmbajnë beta-ionone, një substancë e cila gjendet gjithashtu edhe tek vajrat esencialë dhe parfumet.
Hulumtimi tregon se, ashtu si tani, edhe në të ardhmen, çokollata do të jetë një produkt tepër i pëlqyer, pikërisht për aromat që ka.

Një grup ekspertësh gjermanë, nga Universiteti i Mynihut, analizuan dy lloje çokollatash të zeza, për aromën që ato përmbanin. Aroma e çokollatave u analizua me të njëjtën teknikë, që përdorin prodhuesit e parfumeve për të testuar produktet që nxjerrin në treg.
Sipas studiuesve, në moment që hapim një çokollatë substanca beta-ionone, transformohet në një gaz të lehtë në ajër dhe ne e nuhasim në të njëjtën formë si parfumi. Ka shumë njerëz në botë të cilët preferojnë një parfum me aromë çokollate.
Gjetjet e botuara në revistën "Journal Agricurtural and Food Chemistry" mund të ndihmojnë prodhuesit e çokollatave të përmirësojnë aromat e tyre.
Carolin Seyfried, autorja kryesore e studimit, tha se çokollata është një nga produktet më të konsumuara në mbarë botën, kështu që çdo hulumtim për të është i vlefshëm.
"Aroma është diçka më shumë se shija, është pikërisht një ndër faktorët më të rëndësishëm në një produkt ushqimor, pasi të krijon një eksperiencë unike që përfshin të gjitha shqisat," shton ajo.


Pas hulumtimit, Seyfried së bashku me Michael Granvogl një tjetër studiues pjesëmarrës, vendosën të krijonin një aromë të re parfumi, e cila do të përfshinte përbërësit e çokollatës.
Në një studim të kryer më parë nga i njëjti grup ekspertësh, rezultoi se pjekja e duhur e kokrrave të kakaos, ishte një ndër faktorët kyç.
Ndërsa Peter Schiebiere, drejtori i laboratorit të universitetit, tha se për të krijuar një aromë të mirë për çokollatat, duhet të dish të krijosh një përzierje të mirë, me përbërës të ndryshëm.
"Çokollata vërtet është bërë nga kokrrat e kakaos, por ato duhet të përpunohen për të nxjerrë aromën fantastike dhe të parezistueshme," shtoi ai.
Sipas tij, kjo kërkon një proces të gjatë fermentimi të kakaos me përbërësit e tjerë. Si shembull ai tregon një proces fillestar.
"Kokrrat e pathara të kakaos vendosen në një shportë dhe më pas mbulohen me gjethet e bananes, kjo do të mundësojë fermentimin e tyre, duke rritur kështu baktere të cilat do të ndryshojnë aromën e kakaos," shtoi ai. /Daily Mail/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë