Kombetarja

Armando Sadiku te Malaga, trajektorja e çuditshme e një “Ferrari”

Njeriu që shënoi golin historik të Shqipërisë në një Europian (Francë 2016, Shqipëri-Rumani 1-0), Armando Sadiku, i kishte të gjitha mundësitë që sot të luante në një ekip më të mirë se Malaga, ku sapo është huazuar për një vit nga Levante. Lajmi u zyrtarizua nga klubi spanjoll mbrëmjen vonë të së hënës. Malaga, që të gjithë shqiptarëve vite më parë u dukej si një ekip grek nga emri, nuk është ajo e dikurshmja, tani merr pjesë në ligën e dytë spanjolle. Sadiku bashkohet të paktën për një vit me Kejdi Baren, mesfushorin e Kombëtares, dhe ndoshta është një shans i mirë për t’u rehabilituar, pas një periudhe mes lëvizjesh të shumta dhe dëmtimesh.

Klubi i Malagas i uron mirëseardhjen Armando Sadikut. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Drejtuesit e Levantes, klubit që ka kartonin e sulmuesit 28-vjeçar, shpenzuan jo pak për ta blerë nga Legia e Varshavës. Ata paguan 1.2 milion euro për atë që e quajti veten një “Ferrari në garazh” gjatë kohës kur luante në Poloni, pa mundur të shkëlqente. Në janar të 2018-ës Sadiku la Legian e Varshavës për t’u transferuar në ligën e parë spanjolle, por më pas sulmuesi shqiptar u bë një “barrë” për Levanten. Një dëmtim i rëndë ia vështirësoi edhe më shumë situatën dhe pas rikthimit kaloi në huazim te Lugano në Zvicër, aty ku pati shkëlqimin e madh pasi iku nga Shqipëria. E nisi nga poshtë, nga një ekip modest si Lokarno, për të veshur më pas fanellat e ekipeve të tjera në Zvicër, si Vaduz, Lugano dhe Zyrih. Gjatë kësaj periudhe ai ka munguar në disa ndeshje të Kombëtares.

Sadiku me fanellën e Levantes. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Në verë u rikthye te Levante, por drejtuesit e klubit nuk e përfshinë në planet e tyre për sezonin e ardhshëm. Ishte e qartë se sulmuesi elbasanas duhej të gjente një ekip të ri, që rezultoi të jetë Malaga. Por edhe këtë radhë bëhet fjalë për një huazim. Armando Sadiku rinovoi kontratën me Levanten deri në vitin 2021, pasi klubi spanjoll nuk dëshiron që ky lojtar të largohet me parametra zero, për t’u huazuar pastaj te Malaga, ku shpresohet që sulmuesi kuqezi të rigjejë veten. Ndoshta me Baren shok skuadre do të ketë më të lehtë. Ishte folur më parë për një kalim të mundshëm të Sadikut në ligën e dytë spanjolle, por emri i vetëm që ishte përmendur ishte ai i Albasetes, ku luan sulmuesi tjetër kuqezi, Rei Manaj. “Telenovela” tashmë ka përfunduar dhe “Ferrari” është stacionuar te Malaga, pas një trajektoreje vërtet të çuditshme, ku më shumë i është dashur të bëjë “zbritje marshi”. Është 28 vjeç, në kulmin e pjekurisë sportive dhe ndoshta ka ardhur momenti për të rilindur.

Trajneri Edi Reja e ka lënë jashtë listës së Kombëtares për ndeshjet me Francën dhe Islandën pikërisht për shkak se sulmuesi nuk ka qenë i ingranuar me ekipin e tij dhe nuk ka formën e duhur. Gjithsesi, Sadiku e ka edhe një shans, pasi bën pjesë në listën B, që do të thotë se mund të ftohet, nëse ndonjë nga lojtarët e grumbulluar do të ketë probleme para këtyre dy ndeshjeve. Është mëkat për Sadikun që do të mungojë në Francë, ku shënoi “golin e jetës” me fanellën kuqezi në ndeshjen me Rumaninë.

Sadiku me fanellën kuqezi të Kombëtares. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Një tjetër lojtar me peshë i Kombëtares, Elseid Hysaj, ka pasur thuajse të njëjtën verë me Sadikun, por ndryshe nga elbasanasi, shkodrani nuk ndërroi ekip. Hysaj mbeti te Napoli, ndoshta edhe për kapriço të presidentit De Laurentis, i cili nuk pranoi ta ulte shifrën e shitjes së mbrojtësit të djathtë poshtë 20 milionë eurove. Gjatë gjithë merkatos së verës është folur për destinacionet e mundshme të Hysajt, si Juventus, Inter, Atletiko Madrid e Totenhem, por futbollisti kuqezi do të luajë sërish për skuadrën e trajnerit Karlo Ançeloti. Pak ditë më parë ndërroi skuadër mesfushori Ergys Kaçe, i cili kaloi te Larisa në Greqi pikërisht për të luajtur rregullisht dhe për të mos humbur Kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë