Atletike

Armand Duplantis fluturon 6.21, medalje ari dhe rekrod botëror

Gazeta Si - I takoi Armand Duplantis skena përmbyllëse e Botërorit të atletikës. Dhe ishte një skenë shumë e bukur. Të gjitha garat e tjera kishin përfunduar. Suedezi 22-vjeçar kërceu me shkop aq sa askush më parë nuk kishte arritur.

Armand Duplantis u katapultua 6.21 metra, duke tërhequr vëmendjen në kohën, kur finalja e 4x400 për femra ishte duke filluar.

Duplantis pozon me çekun 100 mijë dollarësh për rekordin botëror. Gazeta Si, 25 korrik 2022

Duplantis e rriti me një centimetër rekordin e tij botëror (duke u nisur nga 6.17, është i pesti në radhë). Suedezi është një specialist i kësaj disipline. Me baba amerikan dhe ish-student në Luisiana, kishte edhe mbështetjen e publikut në garë.

Dhe ai fiton titullin e parë botëror në salla të hapura, që bashkohet me atë olimpik. Kërceu më parë 6.00, pastaj 6.06, rekord i aktivitetit. Më parë kishte kaluar 5.70, 5.87 dhe 5.94. Bashkë me 70.000 dollarët për medaljen e artë, Armand Duplantis fitoi edhe 100.000 dollarë për rekordin.

Medaljen e argjendtë e fitoi amerikani Chris Nelson, kurse të bronzit filipinasi Ernest Hohn Obiena. Duartrokitje për Renaud Lavillenie, francezin që në moshën 35 vjeç kërceu 5.87 dhe zuri vendin e 5-të. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që në një garë të kalonin kuotën 5.80 9 sportistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë