Arlind Ajeti ishte lojtari i fundit i Kombëtares i mbetur pa skuadër, pasi mbylli kontratën me Torinon në Itali. Por tashmë edhe ai është sistemuar. Mbrojtësi 24-vjeçar është kthyer në Zvicër, ku ka firmosur për Grasshopersin. Pas tre sezonesh në Serinë A, fillimisht me Frozinonen dhe më pas te Torino dhe Krotone (i huazuar nga Torino), Ajeti kthehet në kampionatin ku nisi karrierën dhe ra në sy me fanellën e Bazelit. Kontrata që mbrojtësi kuqezi ka firmosur me klubin e ri është njëvjeçare.
Mbrojtësi i Kombëtares ka tashmë mundësinë të luajë rregullisht, falë përvojës së fituar në Itali, dhe të jetë i gatshëm për Kombëtarën ndoshta që në ndeshjen e radhës. Arlind Ajeti nuk u grumbullua nga trajneri Panuçi për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve pikërisht për faktin se ishte pa skuadër dhe rrjedhimisht ishte edhe jashtë forme. Ashtu si Mërgim Mavraj, mbrojtësi tjetër i Kombëtares që pak kohë më parë u zyrtarizua tek Arisi në Greqi, edhe Ajeti bën një hap prapa në karrierë, teksa kalon nga Seria A në kampionatin zviceran. Me Bazelin Ajeti ka luajtur 52 ndeshje, ndërkohë që gjatë 3 sezoneve në Itali nuk ka pasur një aktivizim të rregullt. Tani vesh fanellën e Grasshopersit, me qëllimin për të rigjetur formën e tij më të mirë dhe pas një sezoni të tentojë sërish kalimin në një kampionat më të fortë.
Drejtori sportiv i Grasshopersit, Mathias Ualther, pas nënshkrimit me Ajetin, u shpreh: "Jemi të kënaqur që kemi marrë në ekip një lojtar si Ajeti. Kështu kemi gjetur menjëherë lojtarin e duhur, pas dëmtimit të Nathanit. Arlindi sjell shumë përvojë dhe besoj se do ta ndihmojë ekipin tonë". Ajeti bashkohet me mbrojtësin Bujar Lika te Grasshopersi, një tjetër lojtar i Kombëtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.