Futboll

Argjentina vajton Tata Broun, i shënoi Gjermanisë në finalen e ’86-ës

Ndërron jetë një nga figurat emblematike të futbollit argjentinas, kampion bote në 1986-ën, Jose Luis Broun, i njohur nga të gjithë si “Tata”. Vuante prej kohësh nga sëmundja Alzheimer dhe në moshën 62-vjeçare zemra e tij ndaloi së rrahuri në La Plata. Mbrojtësi i famshëm shënoi golin e parë për Argjentinën në finalen e Botërorit të Meksikës ndaj Gjermanisë. Në atë ndeshej refuzoi të dilte nga fusha, edhe pse kishte nxjerrë shpatullën.

Futbolli argjentinas vajton për ish-kampionin e botës, që nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë. “Nuk mund ta besoj, sepse ke qenë gjithmonë një dem. Do të na mungosh, Tata. Nuk e di sa keq më vjen, vëlla. Ata që e kanë shijuar miqësinë tënde nuk do të harrojnë kurrë”, - shkruante në Facebook pas lajmit të trishto Diego Armando Maradona. Kanë reaguar gjithashtu në rrjetet sociale shumë figura të njohura të futbollit argjentinas, nga Batistuta te Pumpido e shumë të tjerë, duke shprehur keqardhjen për lajmin e hidhur.

Foto emblematike e festimit të golit ndaj Gjermanisë nga Tata Broun

I fortë si shkëmbi, Broun ka luajtur 36 ndeshje me fanellën e Argjentinës dhe ka shënuar 1 gol, pikërisht ditën e fitimit të Botërorit të Meksikës, duke i hapur rrugën fitores 3-2 ndaj Gjermanisë. Ai shënoi me kokë, pas një krosi nga e djathta nga Horge Burruçaga, duke përfituar edhe nga dalja e gabuar e portierit Harald Shumaker. Tata u bë legjendë edhe për vendimin e tij stoik për të qëndruar në fushë me shpatullën e nxjerrë.

https://youtu.be/tdEXo-UwNVs?t=7
Goli i tata Broun ndaj Gjermanisë në finalen e 1986-ës në Meksikë. Gazeta Si, 13 gusht 2019


Ishte kulmi i karrierës për këtë futbollist, i cili më së shumti ka luajtur me Estudiantes të La Platas, për të kaluar më pas te Nacional Medelin në Kolumbi, Boka Zhuniors, Deportivo Espanjol, Stade Brestois në Francë dhe Real Mursia në Spanjë, për ta mbyllur me Racing de Avelaneda. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ka qenë trajner deri në vitin 2013, bashkë me Karlos Bilardon dhe Oskar Ruxherin. Ka punuar edhe në Federatën e Argjentinës dhe me kombëtaret e moshave. Në 2008-ën dhe 2011-ën ka qenë zëvendës i Diego Armando Maradonës dhe Serxhio Batistës.

https://twitter.com/dtnerypumpido/status/1161073391375400961
Postimi ngushëllues i Pumpidos, shok skuadre me Tata Broun, i shoqëruar me foton e triumfit ndaj Anglisë. Gazeta Si, 13 gusht 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë