Futboll

Arbitrat ndalin futbollin në Shqipëri: Na ktheni policinë në stadiume

Ajo që përflitej prej disa ditësh në ambientin futbollistik shqiptar ka ndodhur, futbolli do të ndalet të paktën për fundjavën që vjen. Vendimin e kanë marrë ata që mbajnë drejtësinë dhe që javën e fundit në Kamzë ishin tabelë qitje nga grushtet dhe shkelmat e tifozëve dhe drejtuesve të ekipit të Kamzës, që sot mësuan edhe dënimin e rëndë nga Komisioni i Disiplinës. Përmes një deklaratë për shtyp, shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar ka bërë me dije vendimin për të bojkotuar të gjithë ndeshjet e futbollit në të gjitha kategoritë.

Vendimi i arbitrave për të bojkotuar aktivitetet futbollistike në vend është pa afat dhe me një kërkesë të vetme, rikthimi i Policisë së Shtetit në stadiumet tona. Apelit të fortë të sekretarit të FSHF-së, Ilir Shulku para dy ditësh i shtohet edhe ky veprim i shoqatës së arbitrave që të lë vendin tonë pa futboll për të paktën një javë. Me këtë vendimmarrje drastike të arbitrave, të gjitha ndeshjet e fundjavës në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar duhet të cilësohen të anuluara, ashtu si në teori edhe ato të Kupës së Shqipërisë në mesjavën e ardhshme, pasi në deklaratë bëhet e qartë se pa ndryshimin e ligjit në Parlament, nuk ka kthim mbrapa për gjyqtarët.

Deklaratë për shtyp
Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar, e tronditur pas ngjarjes së dhunës ekstreme ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në Kamëz, ka marrë sot vendimin e saj për të bojkotuar ndeshjet e futbollit në nivel kombëtar.
Duke parë që nga java e parë e kampionatit dhe deri në të fundit ne ndjehemi të pasigurtë, sot ne vendosëm të themi: Mjaf! Mjaft më me kërcënime, fyrje e sharje. Mjaft (dhe kjo është shumë më serioze dhe e rrezikshme) me dhunë e ç’është më e rëndësishmja, mjaft më me pasiguri për jetën. Njëzëri arbitrat mendojnë se eksperimenti i deritanishëm për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet e futbollit ka dështuar. Zëvendësimi i tyre me polici private është një dështim tjetër tashmë i konsumuar. Ashtu siç nuk kemi se ç'të presim më edhe nga eksperimenti tjetër i zbatimit të ligjit, i cili ka dështuar plotësisht, përderisa autorët e dhunës janë liruar sot, edhe se pamjet filmike janë shumë të qarta dhe media ka katër ditë qe e ka në qendër të vëmendjes këtë ngjarje.
I kërkojmë klubeve anëtare në FSHF të na mirëkuptojnë dhe të na mbështesin në vendimin që ne kemi marrë, kjo sepse vendimi që ne kemi marrë është e vetmja rrugë që gara të jetë sa më e vërtetë dhe korrekte. Mjaft u eksperimentua. Ne kemi vendosur të mos luajmë me jetën tonë. Kështu nuk do të kthehemi për të gjykuar, deri sa të ndjehemi të sigurtë dhe Policia e Shtetit të kthehet në stadiume dhe autorët e dhunës të ndëshkohen. Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë