Kombetarja

Arben Milori ‘skanon’ Shqipëri-Çeki: Fitorja perfekte, por edhe barazimi super

Fatjon Rupi – Çfarë ndeshje parashikohet të luhet sot në mbrëmje në ‘Air Albania’? Ku duhet të kenë më shumë kujdes kuqezinjtë për të mos kaluar në aventurë? Gazeta Si sjell opinionin e specialistit Arben Milori, ish-lojtar i Kombëtares. Ai mundohet të bëjë një lloj ‘skaneri’ të kësaj ndeshjeje.

Për ish-sulmuesin, Shqipëria duhet të bëjë mirë llogaritë në këtë moment. Milori shprehet se me pozicionin aktual dhe tri ndeshje të mbetura në grup, për kuqezinjtë do të ishte mirë edhe barazimi sot ndaj Çekisë.

Arben Milori, specialist futbolli. Gazeta Si, 12 tetor 2023

“Futbolli është edhe llogari kuptohet. Shqipëria kryeson grupin falë ndeshjeve të mira që ka bërë, duke qenë një skuadër më ofensive se më parë. Këtë edicion edhe fati na ka ndihmuar, duhet pranuar.

Sigurisht që një fitore e mundshme me Çekinë sot në mbrëmje do të ishte perfekte, por unë jam i mendimit se edhe barazimi është super për ne. Sepse më pas kemi dy ndeshje të lehta në letër, shkojmë në fushën e Moldavisë dhe në fund presim Ishujt Faroe”, - thotë fillimisht Milori për Gazeta Si.

Më pas ai thekson se kuqezinjtë duhet të tregohen pragmatistë, të shfrytëzojnë mundësitë që do të krijohen dhe mbi të gjitha të ruajnë përqendrimin nga minuta e parë e deri në fund: “Tifozët kërkojnë fitoren dhe kjo është e natyrshme, por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Është shumë e rëndësishme të mos humbim. Varet çfarë strategjie do të zgjedhim.

Duhet të mbrohemi mirë, por jo të qëndrojmë të tërhequr prapa në 30 metrat e fundit, sepse kështu do ta kemi shumë të vështirë. Ne kemi lojtarë me kualitet dhe të shpejtë për kundërsulm, siç është Asani. Nëse i referohemi ndeshjes së parë, një mungesë përqendrimi na ndëshkoi me golin e Çekisë.

Nga ndeshja Ceki-Shqiperi, 1-1. Gazeta Si, 12 tetor 2023

Këto gabime nuk ndodhin gjithmonë, por kur ndodhin prishin shumë punë, ndaj dhe theksoj se kërkohet përqendrim maksimal në çdo sekondë. Duhet që skuadra të ketë ekuilibër, të bëjë mirë në të dyja fazat e lojës dhe në tranzicion. Të mos e presë kundërshtarin shumë prapa, por ta sulmojë në gjysëmfushën e tij.

Ajo që dua të them se është se duhet komunikim mes lojtarëve në fushë dhe stafit për të bërë sa më mirë çdo detyrë. Janë ndeshje, ku vendosin episodet, por ne duhet t’ia bëjmë shërbimin deri në fund”.

Dhe në fund një mendim për kundërshtarin: “Çekia është shumë e fortë, është pretendente kryesore për vendin e parë. Ka një ndeshje më pak dhe është 2 pikë pas Shqipërisë. Ata kanë lojtarë të mirë, që luajnë në Bundesligë dhe në Premier Ligë. Janë të fortë fizikisht dhe të ndëshkojnë në momentin e parë që gabon, ndaj dhe duhet vigjilencë maksimale nga skuadra jonë.

Ndeshjen e parë e dominuan ata, patën më shumë raste. Ne barazuam nga aftësitë individuale të Bajramit, lojtarit që bëri atë gol të rëndësishëm. Sot duhet të evitojmë gabimet si ai në Pragë”, - ka përfunduar Milori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë