Dosje

Arben Lleshit ia kishin bërë benë / Dy letra në Burgun e Peqinit se do ta helmonin. Shoku i qelisë Indrit Shaqja: 200 mijë € për kokën e tij

Gazeta Si - I dënuari me burg përjetë Arben Lleshi, i cili u vra në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj, ishte në dijeni se ishte vënë në shënjestër për t’u eliminuar.

Shoku i tij i qelisë, Indrit Shaqja, në dëshminë e tij para prokurorëve, zbulon detaje të reja nga ngjarja, ku mbeti vetë i plagosur pas të shtënave të Mjacajt.

Shaqja është shprehur se disa kohë më parë, Lleshit i ka ardhur një letër që e paralajmëronte se për “kokën” e tij ishin vënë 200 mijë euro.

Letrat anonime

“Një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma se e paralajmërojnë se për kokën tënde po paguajnë 200 mijë euro”, - thuhet në dosjen e prokurorisë. Për ekzekutimin e Lleshit, Shaqja thotë se ka marrë dy herë oferta për ta eliminuar me helm.

Pagesa do të ishte e njëjtë, 200 mijë euro. Sipas tij, i janë dërguar dy letra me shkrim dore, ku theksohej se do të paguhej për ta helmuar Arben Lleshin.

Shaqja thotë se ia ka dhënë letrat në të dyja rastet vetë Lleshit dhe për këtë ka dijeni i gjithë burgu.

“Ka deklaruar gjithashtu se gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur dy letra të shkruara me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje se do të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë dhe helmin që t’i ta kryesh vdekjen e atij, Arben Lleshit. Nëse je dakord në të dyja rastet i kanë thënë se nëse je dakord na kthe përgjigje me letër. Është deklaruar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroi se ka dijeni gjithë burgu. Kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i ka prishur për shkak se i përbuzte fenë ky i dënuar. Në Peqin ka qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm se ju kap telefoni në dhomë”, është shprehur ai.

Indrit Shaqja po gatuante në sobë kur ndodhi vrasja

Pak para ngjarjes së rëndë, Indrit Shaqja po gatuante, kur Sokol Mjaca e thërriti dhe i kërkoi që të njoftonte Aben Lleshin që të dilte në dritare…

Si Indriti, ashtu sikurse edhe Arben nuk e dinin planin e 28-vjeçarit dhe kërkesave të tij duket se iu përgjigjën natyrshëm.

Të paktën kështu rezulton edhe në dëshminë që ka dhënë Indrit Shaqja për hetuesit, pas ngjarjes së rëndë ku Sokol Mjaca vrau në ambientet e qelisë Lleshin dhe la të plagosur vetë Shaqjen.

Në dosje, Indrit Shaqja rrëfen se si Mjacaj e futi në kurth që t’i nxirrte në pritë objektivin Lleshi.

“Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes është pyetur viktima Indrit Shaqja, i cili ka shpjeguar se ka qenë duke qëndruar në ambientet e dhomës duke gatuar. Polici i kolonës ka thërritur dhe i ka thënë Indrit të kërkojnë tek zgara e kolonës se sektorit. Ka dalë dhe është afruar se kush më kërkon dhe aty ka parë se ishte shtetasi Sokol Mjaca i cili ka thënë se ‘O Indrit më njofto pak Ben Lleshin të dalë në dritare tek zgara se kam për t’i thënë diçka’, ku është kthyer dhe ka parë në korridor të sektorit Arben Lleshin e ka thërritur me fjalët se të kërkon Sokol Mjaca në dritare për të thënë diçka. Ndërkohë aty është futur tek dhoma e Indrit Shaqes shtetasi Arben Lleshi dhe është afruar tek dritarja dhe Indriti ka qenë duke parë ushqimin që ishte në sobë. Ka dëgjuar fillimisht një krismë si kapsollë dhe aty ka kthyer kokën nga dritarja dhe ka parë se Arben Lleshi po tërhiqej në thellësi të dhomës duke humbur ekuilibrin”.

Arben Lleshi u ekzekutua në burgun e Peqinit të premten e shkuar nga Sokol Mjacaj, ndërsa Indrit Shaqja mori plagë në këmbë gjatë të shtënave.

Lleshi vuante një dënim me burg përjetë për shkak se vite më parë ka vrarë një shqiptar në Britaninë e Madhe. Pas kësaj ngjarje, në familjen Lleshi janë vrarë disa familjarë të tij.

Kush është Indrit Shaqja

Indrit Shaqja është dënuar për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 shtator 2014 në shtëpinë e viktimave në Durrës. Nipi i njërës prej viktimave, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij: Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja.

Ata hynë me forcë të shtëpi, e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë.

Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.

Por vetëm 2 muaj më herët nga vrasja e dyfishtë, Indrit Shaqja ishte protagonist në një tjetër ngjarje. Bëhet fjalë për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë, Renato Hamza, i njohur ndryshe si Reni i Elbasanit.

Sipas hetimeve, Shaqja është një nga personat e fundit me të cilët takohet Reni i Elbasanit, mbrëmjen e 29 qershorit të vitit 2014, ku më pas u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.

Për këtë ngjarje, Shaqja nuk ka pranuar të flasë para prokurorëve dhe gjykata vendosi ta dënojë me burg përjetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë