Politike

Arben Ahmetaj drejt mosdorëzimit: Do të dal kur e vërteta ime të ketë marrë rrugë

Ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj ka reaguar për herë të parë që pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e tij për aferën e inceneratorëve.

Nëpërmjet një mesazhi dërguar emisionit “Opinion” në TV Klan, mbrëmjen e së enjtes nga arratia, Ahmetaj ka renditur arsyet se kur do të flasë për akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Ai ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij, duke thënë se të gjitha të dhënat që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK, janë të pavërteta.

Mesazhi i Arben Ahmetajt

Do dal kur ju të lexoni dosjen.

Do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pas njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta.

Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish gruaja ime ka shitur metra katrore në treg të lirë.

Do dal kur të kuptohet që bashkjetusja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksion të pastër bankar një pronë.

Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë  pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte.

Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor te interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot.

Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë.

Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj.

Do dal kur ta kuptoni që s’kam pas lidhje me procedurën.

Atëherë do të dal.

Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit, aq më tepër në opozitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë