Kosova

Apeli kthen tarifat e vjetra të energjisë elektrike në Kosovë

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh energji në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e energjisë, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Menjëherë pas këtij vendimi, kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se ende nuk kanë pranuar ndonjë njoftim ose vendim nga Apeli për anulimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Ne ende nuk e kemi marrë vendimin e Gjykatës së Apelit. Kurdo që ta marrim, ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës së Apelit. Ai vendim ka afat 30 ditë për t’u implementuar, kështu që brenda 30 ditësh, ne do t’i marrim masat e nevojshme sipas vendimit. Fatkeqësisht, ne s’pajtohemi me këtë vendim. Kemi parë se si ka dalë informata së pari në portale para se ta marrim ne si ZRRE zyrtarisht, po shihet se si ka rrjedhë ai vendim. Si do që të jetë, ne jemi të obliguar ta zbatojmë”, tha Fejzullahu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se Gjykata e Apelit ka vërtetuar që shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, ishte i padrejtë dje i kundërligjshëm.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm”, tha Krasniqi nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook.

Ai është shprehur se vendimi i Apelit ka lehtësuar nga barra rreth 450 mijë familje kosovare.

“Jam shumë i lumtur që qëndrimi ynë parimor për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare”, është shprehur ai.

Tarifat e reja të energjisë elektrike të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe ishin planifikuar të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Siç ishte njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë energji elektrike në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë.

Gjatë tarifave të shtrenjta, qytetarët që harxhojnë mbi 800 kilovatë paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatë tarifave të ulëta 5.9 centë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë