Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi dënimin me 21 vjet burg për Izet Haxhinë për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari.
Ai kishte kërkuar rikthimin e çështjes për rigjykim, por Apeli e refuzoi kërkesën.
Apeli la kështu në fuqi dënimin e dhënë në Shkurt të këtij viti nga Gjykata e Tiranës, e cila e shpalli fajtor për “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në ngjarjen ku humbi jetën deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, në 12 Shtator 1998.
Izet Haxhia u dënua me 25 vite heqje në lirie në vitin 2002 për vrasjen e Hajdarit.
Në vitin 2006 ai u arrestua nga policia turke, ku edhe kërkoi azil politik, por që nuk iu miratua asnjëherë.
Ai përfitoi një leje qëndrimi me kushtin që të mos dilte nga Turqia. Në vitin 2018, gjykata turke pranoi kërkesën për ekstradim drejt Shqipërisë.
Në gjyqin që u zhvillua në mungesë të tij, 53-vjeçari nga fshati Babinë i Tropojës u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Azem Hajdarit në 29 prill të vitit 2002 (përfitoi ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar).
Pas ekstradimit nga Turqia, ai nisi betejën me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të bujshme të këtyre 30 viteve, duke u cilësuar si “vrasja e shekullit”, ku shkak u bë kërkesa e Haxhisë për rigjykim.
Pas viteve ’90, Haxhia ka qenë për një periudhë të gjatë truprojë e ish-presidentit Sali Berisha, me të cilin kërkoi përballje në gjyq, duke e akuzuar si një nga përgjegjësit për vrasjen e Hajdarit.
Azem Hajdari u vra me armë zjarri jashtë godinës së Partisë Demokratike me 12 shtator 1998. Që nga 2018 Haxhia nisi betejën me drejtësinë shqiptare, ndërsa seancat ndaj kanë qenë të panumërta deri sot kur u mor vendimi nga shkalla e parë e Gjykatës së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




