Kosova

Apeli i Speciales ul me 4 vjet dënimin ndaj Salih Mustafës

Nga Gazeta 'Si'-Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Vendimi është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten(14 dhjetor) në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.

Aktgjykimi i 14 dhjetorit është i pari i Apelit për krime lufte i shqiptuar në Gjykatën Speciale.

Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim si dënim të njësuar për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa e kishte apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit.

Mustafa kishte pretenduar për gabime juridike dhe faktike nga trupi gjykues, por këto kundërshtime u rrëzuan nga Paneli i Apelit.

Përmes avokatit të tij, Mustafa kishte thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që aktgjykimi dënues të mbetej në fuqi meqë sipas tyre, për këtë kishte prova të besueshme.

Dënimi ndaj Mustafës kishte shënuar aktvendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë