Presidenti Ilir Meta u ka bërë apel të gjitha institucioneve në vend që të rrisin urgjent nivelin e masave përballë përhapjes së korona virusit. “Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e koronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta. Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga koronavirusi. Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje”, thotë Meta në apelin e tij.
Duke vlerësuar këtë situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale; faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese; rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi; shfaqjen e rasteve të koronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura; në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet; kreu i shtetit ka kërkuar ngritjen e nivelit të emergjencës shëndetësore në vend.
“Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike. Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24. Duhet të vihet në dispozicion financimi i plotë, shumë më i madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës. Duhet të angazhohen të gjitha kualitetet njerëzore shkencore, por edhe ata me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv”, përfundon Meta apelin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




