Kombetarja

Anulohet miqësorja me San Marinon, me Slloveninë në transfertë

Shqipëria kishte zyrtarizuar kohë më parë dy miqësore për datat 27 dhe 30 mars, përkatësisht ndaj San Marinos dhe Slloveninë, por e para është anuluar, kurse e dyta nuk do të zhvillohet në Itali, por në Slloveni.

Miqësorja me Slloveninë, e planifikuar të luhej në Udine të Italisë, do të zhvillohet në qytetin e Koperit, siç bën me dije Fedarata Sllovene e Futbollit. Situata me Koronavirusin, sidomos në Itali, është përkeqësuar, ndaj dhe kjo ndeshje është spostuar në Slloveni, më datë 30 mars, ora 20:45. Miqësorja e 27 marsit me San Marinon është anuluar krejtësisht, pasi rreziku nga Koronavirusi është i madh. Pak orë më parë FSHF- vendosi që ndeshjet e kampionatit të Superiores, duke përfshirë edhe ato që luhen sot, Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, të luhen pa tifozë.

Trajneri Edi Reja është italian, për më tepër në moshë të madhe, stafi i tij po ashtu, por edhe shumë kuqezinj luajnë në Itali, ndaj dhe mund të ishte i rrezikshëm grumbullimi i Kombëtares në vendin fqinj. Miqësorja e vetme mbetet ajo e 30 marsit në Koper, ku trajneri Reja ka në plan të testojë lojtarë të rinj në Kombëtare, me në krye Brojën dhe Kamberin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë