Kombetarja

Anulohet Gjibraltari, Shqipëria pret Kosovën më 11 nëntor në Elbasan

Shqipëria dhe Kosova do të luajnë në muajin nëntor një miqësore, apo një vëllazërore siç quhen ndeshjet mes tyre. Kjo ndeshje është planifikuar të zhvillohet më 11 nëntor, në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa orari mbetet për t’u përcaktuar.

Në këtë datë ishte planifikuar më parë të luhej një miqësore me Gjibraltarin, por sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, kjo ndeshje është anuluar dhe tashmë është zëvendësuar me vëllazëroren.

Kapitenët Berisha dhe Ujkani para një miqësoreje. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Është një test që do t’i shërbejë trajnerit Edi Reja në prag të dy ndeshjeve të fundit në grup në Ligën e Kombeve, atyre me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, që luhen përkatësisht më 15 dhe 18 nëntor. Kombëtarja jonë mban vendin e tretë në grup, me 5 pikë në 4 ndeshje, por kreu është vetëm 2 pikë larg. Me dy ndeshjet e nëntorit, që luhen të dyja në Shqipëri, kuqezinjtë kanë shansin të marrin kreun.

Më parë Shqipëria dhe Kosova kanë luajtur dy ndeshje të tjera miqësore, ku kuqezinjtë kanë pësuar një humbje 3-0 dhe në një tjetër kanë barazuar 2-2. Kjo është vëllazërorja e parë që zhvillohet në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë