Kosova

Anulimi i mbledhjes së 2 qeverive, opozita në Kosovë: Alarmante! Mbetëm edhe pa Shqipërinë

Edhe opozita e Kosovës ka reaguar ashpër pas vendimit për anulimin e mbledhjes së dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës që do të mbahej ditën e sotme, 14 qershor, në Gjakovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi, e cilësoi alarmante situatën në të cilën ndodhet vendit.

“Alarmuese! Në kohën kur të gjithë aleatët perëndimorë janë të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, ne kemi nevojë për Shqipërinë më shumë se kurrë”, shkroi Krasniqi.

LEXO EDHE:
Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në nivel delikat / Anulohet mbledhja e 2 qeverive, Kurti: S'di gjë. Rama: I kërkova takim më të ngushtë, por s'pranoi

Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi këtë vendim një lajm të keq për shqiptarët, në Kosovë, Shqipëri, Luginë, Maqedoni e Mal të Zi.

Ai tha se, Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë.

“Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë. Kjo s’është Kosova që e kishim menduar ndonjëherë”, shkroi në rrjetet sociale Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK, rrugëtimi përplasës me Perëndimin i Kurtit, rrezikon vetë shtetësinë e Republikës.

“Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor. Kosovës i duhen miqtë. Kosovës i duhen partnerët strategjik”, përfundoi Abdixhiku.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se shkarkimi i kryeministrit dhe Qeverisë është urgjencë kombëtare.

Sipas tij, veprimet e kryeministrit në veri janë për t`i mbuluar dështimet në qeverisje.

Ai ka vlerësuar se Kurti është zhytur në korrupsion dhe hajni, prandaj po kërkon shpëtim te kriminelët në veri

“I zbuluar dhe i kapun në mashtrim. I humbur në qeverisje dhe i pashpresë për ekonomi, arsim e shëndetësi; I zhytur në korrupsion dhe i kapun në hajni; I pabesueshëm për aleatët euroatlantikë; I kapun në pabesi dhe i dënuar prej tyre, Kurti po kërkon shpëtim te kriminelët në veri; S'e shpëtojnë as ata, s'e ka drejtësi për të gjithë dhe ka për të pasur për popullin e shumëvuajtur të Kosovës edhe nga e keqja Kurti. Prandaj shkarkimi i Kryeministrit dhe Qeverisë, është urgjencë kombëtare!”, ka shkruar Haradinaj.

Një ditë më parë kryeministri Rama u shpreh në një komunikim të jashtëzakonshëm me gazetarët se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, takimi mes dy qeverive nuk mund të mbahej në formatin e parashikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë